Qeveria e futbollit europian nuk heq dorë nga ideja për ta mbyllur këtë sezon në fushë, me qëllim minimizimin sa më të madh të humbjeve financiare.
Kështu, UEFA planifikon që të luhet futboll deri në fund të gushtit, duke i hyrë në pjesë edhe sezonit të ri, që duhet me patjetër të mbyllet në muajin maj të vitit të ardhshëm, pasi në atë kohë luhet Kampionati Europian dhe Kupa e Amerikës.
Ekipet do të mbyllin sezonin deri në fund të gushtit, për ta shtyrë nisjen e sezonit të ri në shtator. Më pas kjo kohë e humbur pretendohet të kompensohet, duke lejuar më pak ndeshje të kombëtareve që marrin pjesë në kampionatin Europian, me qëllim lënien e hapësirës për klubet, që do duhet të gjejnë kohë për të mbyllur sezonin.
Kjo ide mbetet akoma në kufijtë e hipotezave, por për momentin mbetet e vetmja bindëse, duke parë situatën e vështirë në të gjithë Europën për shkak të përhapjes së koronavirusit, i cili nuk pritet të largohet edhe aq lehtë nga kontinenti i vjetër. /vipsport/