Opinion nga Redan BUSHATI

…Ky do të jetë slogani kryesor i tifozërisë shqiptare. Besim i përftuar dita-ditës prej rezultateve në rritje të kuqezinjve tanë, sidomos pas sfidës së fituar ndaj nordikëve në Oslo, më 22 mars, me atë perlë të shkodranit Hamdi Salihi. “Ka ardhur momenti”, shprehen njëzëri tifozët e zjarrtë të kombëtares shqiptare. Dhe momenti është ndaj Norvegjisë, aty ku, anipse De Biazi pavarësisht çdolloj rezultati nuk shpreh as tragjedinë, as parajsën, do të ndahen dy botë: njëra që na dërgon në qiell, në kopshtin e begatë të një “jete” të paprovuar më parë, tjetra që na degdis toptan e na hedh në një qoshk si “mbetje fosile”.
Sfida Shqipëri-Norvegji, e cila do të luhet në mitikun e «Qemal Stafa»-s prej orës 20:30, është epokale për përfaqësuesen tonë. Fitorja na jep të shtyrën e fuqishme drejt botërorit, ndërsa humbja na zbret me këmbë në tokë, barazimi na lë aty-aty. Dhe mu për këtë kemi të drejtë të besojmë, se nëse kalojmë me sukses përballjen ndaj “vikingëve”, të vlefshme për eliminatoret e kampionatit Botëror 2014, që do të zhvillohet në Brazil, “samba” do të nis furishëm.
Mungesave të Lorik Canës, Andi Lilës e Odise Roshit (të pezulluar), si dhe Alban Mehës e Burim Kukelit (të dëmtuar), i është shtuar edhe ajo e Debatik Currit, i cili është dëmtuar para tre ditësh gjatë stërvitjes në «Tropikal» (Durrës). Këto mungesa kanë krijuar një gropë jo të vogël në kombëtaren shqiptare. Megjithatë, “timonieri” i përfaqësueses sonë ka menduar t’i minimizojë pasojat që lënë boshllëqet e krijuara nga këta lojtarë të rëndësishëm. Të besojmë!
Tanithi kombëtarja për shqiptarët është kthyer në institucion, që meriton respekt të veçantë. Futbolli i përfaqësueses sonë ka këndellur me mijëra e miliona shqiptarë anekënd botës, pasi atë që asnjëherë politika jonë, veçan në këto 23 vitet e fundit, nuk ka arritur të na dhurojë, tak-fak na e ka dhënë topkëmba: frymëmarrje, krenari, lumturi, gëzim, shpresë…
Sot, të gjithë kemi një ëndërr. Të gjithë jemi së bashku. Sot, si kreu i FSHF-së, ashtu edhe punëtori i «Qemal Stafa»-s, hem emigranti i tretur në dhé të huaj, hem shqiptari i rropatur për një copë bukë, pra, të gjithë sot si asnjëherë tjetër gjendemi së toku, nga ku presim mrekullinë kuqezi. Një atmosferë e tillë ka ndodhur vetëm në ca momente të tjera, dhe të gjitha nën emëruesin e kombëtares së futbollit. Kujtojmë ndeshjen ndaj Greqisë, ku uragani kuqezi shpërtheu në mënyrë të pamatë për të marrë me vete gjithçka që kish përpara. Dhe ashtu, sy patrembur e krenarë, si shqiponjë iu sulëm helenëve, për miliona arsye, që para së gjithash buronin më shumë se sa një ndeshje futbolli. Por tani është krejt ndryshe. Ahere fitorja nuk na shpinte gjëkundi, ndërsa sonte nga djemtë e De Biazit besojmë në ëndrrën botëror, e cila kalon përmes 90 minutave, nga ku presim viktimën e radhës: Norvegjinë. Unë besoj! Ti beson! Ne gjithë së bashku besojmë në ëndrrën Botëror!
“Qemal Stafa” sonte nuk do kishte nevojë veçan për praninë e një kategorie të shëmtuar njerëzish, që bluzën e kombëtares sonë e kanë nëpërkëmbur. Nuk duhet të jenë prezent, pasi ata s’meritojnë të jenë mes sportdashësve, meqenëse sportin më popullor e kanë lënë në mjerim e mëshirë të fatit, ku infrastrukturën në impiantet tona të futbollit jo vetëm nuk e kanë përmirësuar, as ruajtur siç ka qenë, përkundrazi, e kanë prishur e shkatërruar, për të shuar nepsin e babëzitjes së tyre, me pallate shumëkatëshe apo me leje ndërtimi, që kanë uzurpuar vendin tonë si falangat e krimit, përmes shitjes që i kanë bërë këta mohsa. Pra, sonte nuk kemi nevojë për pjesën më të madhe të politikës. Sot është dita e shqiptarisë. Nga Tetova, Shkupi e Gostivari, nga Prishtina, Mitrovica e Prizreni, nga Malësia e Madhe, Shkodra, Ulqini, Plava e Gucia, nga Tropoja, Kukësi e Mirdita, nga Vlora, Korça e Elbasani, nga Pogradeci, Gjirokastra, Saranda dhe Çamëria, nga diaspora e ngado gjenden shqiptarët të gjithë të mbledhur tok në Tiranë, fizikisht e shpirtërisht me “luanët” kuqezinj, për t’iu dhënë përkrahjen e nevojshme e të merituar. Ata janë heronjtë e mëdhenj të këtyre kohërave kaotike, me në krye një gjeneral të huaj impresionues, që me marshimin galopant bashkuan shqiptarët, duke i dhënë mësim këqëzërave e kolegjeve zgjedhore; frymës ndaj të famshmeve “3 ligjet”, e pa pasur nevojë për asnjë polarizim, që politika e ndotur shqiptare po i bën këtij populli. Kuqezinjtë e fushës për ne sonte janë galaktikë. Ne të gjithë jemi me ta, cilido qoftë rezultati, mjaft të vënë shpirtin në fushën e lojës, të japin gjithçka nga vetja, pasi s’ka “gardë” të ndalojë shpirtin e lirë e të paepur për mrekulli. Dhe të gjithë ne besojmë: Shqipëria në Botëror!