Pèrveç një boksier shumë i zoti, Nelson Hysa është edhe një pedagog i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në degën e Edukimit Fizik. Si rrjedhojë suksesi i tij i mbrëmshëm në ringun e “Feti Borovës” ku triumfoi ndaj kroatit Abel Pesut duke marrë titullin e lartë të kampionit në Federatën “WBO Global”, nuk ka kaluar pa marrë edhe vëmendjen e institucionit të arsimit të lartë në Shkodër i cili në faqen e tij sot shkruan:
“Një natë e paharruar për sportin shqiptar! Mbrëmja e 10 tetorit 2025 do të mbetet në kujtesën e të gjithë sportdashësve shqiptarë!
Kolegu ynë, Nelson Hysa, shkëlqeu në ring duke fituar bindshëm në raundin e 3-të (nga 10) ndaj kroatit Pesut, në eventin Fury Fight Club 5
Me këtë fitore, Nelsoni rrëmben dy tituj të mëdhenj botërorë: WBO – Kampion Globi dhe WBA – World Champion GOLD, duke na bërë krenarë si shqiptarë e shkodranë!
Ndeshja u zhvillua në një atmosferë elektrizuese në Pallatin e Sportit “Feti Borova”, Tiranë, të tejmbushur me tifozë që mbështetën kampionin tonë. Në mesin e tyre ishte edhe Rektori Gjuraj, një dashamirës i madh i sportit dhe përkrahës i sportistit e kolegut tonë.
Përveç suksesit në ring, Nelson Hysa është edhe asistent lektor në Departamentin e Edukimit Fizik dhe Sporteve në UNISHK, duke frymëzuar studentët me pasionin dhe përkushtimin e tij si sportist dhe pedagog.
Suksese të mëtejshme, Nelson! Shkodra dhe Shqipëria janë krenare për ty!”