Myrto Uzuni, foli në emisionin “Skaner” në MCN TV, pas grumbullimit të tij me Kombëtaren, për dy ndeshjet e muajit qershor, ndaj Moldavisë dhe ndaj Ishujve Faroe. Uzuni deklaroi se Kombëtarja është krenari dhe mezi pret të vijë në grumbullim. I pyetur për pozicionin, sulmuesi beratas, deklaroi se te Granada luan në sulm, ndërsa me Shqipërinë në krahun e majtë të mesfushës.

Gjithsesi lojtari theksoi se është gati të sakrifikojë aty ku do trajneri. “Kur ke njerëzit që do afër, ndihesh më i fortë dhe më i plotësuar. Kjo ka ndodhur me mua, që kam pasur mbështetjen e familjes dhe tani edhe mbështetjen e të fejuarës. Ekipi duket shumë mirë, por kjo do duket më 17 qershor. Për ne është një finale. Luajmë ndaj dy ekipeve, që në letër duken më të dobëta se ne, por futbolli ka treguar se nuk ka kundërshtarë të lehtë. Shpresoj që ekipi të jetë në formë, sepse pikët janë shumë të nevojshme.

Presioni është gjithmonë, qoftë edhe me shokët e lagjes. Unë jam mësuar me presionin dhe mezi pres të vijë dita e ndeshjes. Unë gjithmonë dua të fitoj, sepse jam sulmues, por të rëndësishme janë edhe 3 pikët për ekipin kombëtar. Te Granada luaj sulmues, ndërsa te Kombëtarja luaj si mesfushor i majtë. Trajneri e sheh më mirë ekipin dhe vendos ai ku do luaj. U bëj kohë e gjatë që nuk luaj në atë pozicion.

Te Ferencvaros luaja sipër jo mesfushor krahu. Mundësitë që kam, i shfrytëzoj. Për mua më mirë do të ishte të luaja te pozicioni si te Granada. Unë jam gati të sakrifikohem për Shqipërinë dhe vendos trajneri. Kemi bërë analizën tonë dhe e kemi parë Moldavinë, mbron me 5 prapa dhe nuk del përpara. Luajmë në shtëpi dhe jemi të karikuar për të marrë 3 pikët. Unë për veten futem në fushë vetëm për fitore.

Ky është mentaliteti im, që kam arritur deri këtu sot. Duhet fitorja me çdo kusht për dy ndeshjet e radhës. E kemi mundësinë dhe ta marrim maksimumin dhe në fund të mos kemi pishmane më vonë. Për mua është krenari të vij këtu. Pushimet aty janë. Të përfaqësosh kombin, është krenari për një lojtar. Unë mezi pres të vij te Kombëtarja shqiptare. Është fat që të luash për ekipin kombëtar. Në finalen e Champions League, isha me Manchester City. Prej futbollit që bën Guardiola. Interi dje zhvilloi ndeshje shumë të mirë dhe nuk e prisja kështu.”, deklaroi Uzuni.