Opinion nga Roland ÇOMO
Idetë perëndimore janë shumë të nevojshme për futbollin Shqiptar, por ato duhet të dish ti implementosh në realitetin e ndyrë që është në futbollin Shqiptar dhe normalisht duhet kohë dhe nuk mund të bëhen nga një person i vetëm por ndryshimi fillon në legjislacionin për sportin dhe ky implementim duhet të nisë nga FSHF-ja që më pas të reflektohet në klube.
Vata gaboi dhe e rëndoi situatën sepse harroi të stërvisë ekipin dhe në këtë moment këto lojëra që ka bërë Vllaznia në këtë periudhë, unë gjykoj që kanë qenë më të dobëtat ndoshta që nga krijimi i Vllaznisë sepse futja e ideve perëndimore u bë në media apo në tavolina miqësore dhe jo tek lojtarët në stërvitje. Vata gaboi në përplasjet me mediat gjë që tregon qartë që nuk është qetësia që kërkon të shfaq në intervistat e tij. Gabimi tjetër i Vatës është përplasja dhe të kërkuarit e vendosjes së diktatit me shumicën e lojtarëve kryesorë të skuadrës. Kjo për ata që e kuptojnë futbollin shihet në fushën e ndeshjes që mungon harmonia dhe kompaktësia e reparteve, shikohet në komentet që bëjnë disa lojtarë cilësor të larguar nga Vllaznia. Zakonisht në bilancin e përplasjeve trajner- lojtar raporti anon pozitivisht tek lojtarët që do të thotë trajneri të përgatisë valixhet sepse do të krijohet një situatë e rrezikshme që do të këtë influencë negative tek ekipi kështu që sponsorit do t’i duhet të largojë dikë. Të gjithë e shikojmë që lojtarët që erdhën tek Vllaznia ishin një dështim i vërtetë dhe nuk i kuptoj disa që thonë duan kohë, kur t’i vijë koha atyre për t’u përshtatur me ekipin ka mbaruar kampionati dhe njëkohësisht edhe kontratat e tyre. Prandaj shprehja se trajnerin nuk po e lënë të qetë nuk besoj se është e gjetur. Bashkia Shkodër i ka dhënë trajnerit gjithë besimin dhe mbështetjen e duhur, por nuk besoj se pati të njëjtin përkushtim anasjelltas.