Rudi Vata vazhdon të insistojë se Mërgim Mavraj duhet të përqendrohet në fushën e lojës, për aq kohë sa i ka mbetur në futboll e të mos merret me gjëra të tjera që e shpërqendrojnë nga detyra që ka në ekipin kombëtar. Më e fundit është postimi që ka bërë kapiteni aktual i kuqezinjve, i cili kishte hedhur një foto të Fatmir Vatës duke shkruar se ishte i vetmi Vata që njihte.
Fjalë të cilat ishin përgjigje pasi Rudi Vata e kritikoi dhe argumentoi se tashmë mbrojtësi duhej t’i jepte lamtumirën kuqezinjve. Në një prononcim për Vip Sport, Vata ka bërë të ditur se për Mavrajn ishte koha të mbante përgjegjësi për fjalët dhe veprimet e tij, duke i pranuar kritikat siç ndodhte në gjithë botën.
Z. Vata, pas fjalëve tuaja për largimin e Mërgim Mavrajt nga Kombëtarja, ai ka postuar një foto me Fatmir Vatën duke thënë se është i vetmi Vata që njeh…
Unë nuk kam asgjë me Mërgimin. Fatmiri është fatmirë dhe e kam shok. Unë nuk jam fatmirë, ndoshta për Mërgimin jam fatkeq. Nuk kam çfarë të them unë për të, se atij i ka rënë bateria dhe mundet vetëm të gënjejë njerëzit se i marrim tre pikë Francës e Islandës, si të jesh duke folur në plazh…
Nëse ai nuk e kupton se çfarë flet, çfarë t’i bëj unë? Duhet të kuptojë që kur mbarojnë kilometrat, mbarojnë kilometrat, edhe Mercedes i ri të jesh, kur bëhesh i vjetër, nuk ke më atë forcë. Gjithsesi, nuk kam se si i kthej përgjigje tjetër dhe as më intereson faktikisht se kam të drejtën të analizoj atë që mendoj dhe nuk ka njeri në botë që më mbyll mendimin tim.
Nëse Mërgimi mendon se është në ndonjë vend diktatorial e nuk kupton se në Gjermani e në çdo vend kritikohet gjithsekush. Siç kritikon Oliver Kahn, kritikon Lotar Mateus lojtarët e Bajern apo siç kritikon Geri Nevill lojtarët në Sky Sports, se e sheh se e gjykon sipas asaj që sheh në fushë, e atij nuk i pëlqen kjo, atëherë është person i vogël.
Për mendimin tim, nëse e ka shkruar kështu, ka treguar që është një njeri i vogël. Ai ka ardhur në ekipin kombëtar shqiptar , i cili i ka dhënë një lloj emri dhe ai duhet të vlerësojë kombëtaren që Rudi Vata e ka përfaqësuar me dinjitet në ato vite që Mërgim Mavraj ka qenë në mërgim.
Si ish-kapiten i Kombëtares, a mendoni se duhej të ishte më i kujdesshëm me shembullin që jep me fjalët para ndeshjeve apo edhe me veprimet e tij?
Për sa kohë nuk ka PR në Federatën Shqiptare të Futbollit, për sa kohë që ata nuk janë të kujdesshëm për imazhin e Federatës e për atë që duhet të thonë, ndaj ka kaq shumë probleme futbolli shqiptar. Se Mërgimi flet atë që sheh, që e mendon si e mendon, mund të ketë edhe dozat e presionit kur e ka thënë.
Dikush duhet ta kontrollojë, se këtu bëhet fjalë për ekipin kombëtar, nuk është ekipi kombëtar i para 20-30 viteve kur e kemi folur ndonjë fjalë. Sot investohet me trajnerë të huaj , ka investime të mëdha në kombëtare, nuk është më i disorganizuar se të themi. Por kur ai arrin në këto nivele, e kupton se çfarë shembulli jep për ata futbollistë të cilët duan të bëhen nesër kapiten në kombëtare se e kanë si ëndërr.
Për mendimin tim, është thjesht humbej kohe të merresh me të. Se futbolli ecën përpara. Edhe kur mbaron koha e Rudi Vatës, edhe kur mbaron koha e Mërgim Mavrajt, e Lorik Canës, të gjithëve me radhë, duhet të ecësh përpara. Përpara ecet kur njerëzit i pranojnë kritikat dhe i pranojnë gabimet e mundohen të përmirësohen, jo të sulmojnë.
Por gjithsesi e ka në kulturën e tij arabe, troç muhabeti. Nëse ai e ka në kulturën e tij arabe për t’u përgjigjur kështu, bravo i qoftë. Por Rudi Vata i cili ka luajtur futboll, në kohë të Mërgimit nëse do të ishte në ekip kombëtar, ai do të mbante përgjegjësi të tjera ai. Nëse ai është krenar me paraqitjet që ka bërë të paktën në këto dy vitet e fundit, në ato ndeshje që ka bërë me Skocinë etj…
Kritikat do të vazhdojnë…
Unë gjithsesi do ia them Mërgimit sa herë që të gabojë, aty do të më ketë. Nëse ai nuk është i zoti ta përballojë nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Kritikat i përballon Mesi e Ronaldo e nuk do t’i përballojë Mërgimi. Për futbollin shqiptar e për të ardhmen e Shqipërisë, mendoj se është askushi nëse merret për të diskutuar këto gjëra.
Të ruajë qetësinë e t’i shërbejë të ardhmes e të mundohet të gjejë një vend pune pas futbollit e të vazhdojë jetën i qetë, se pasojat më të rënda futbollistët i marrin kur lënë futbollin e nuk është e lehtë. Duhet të jesh i fortë në ato momente sepse e kanë provuar shumë vetë dhe kanë marrë goditje të rënda, të mos trembet nëse mendon se do të lërë futbollin, se e kemi lënë të gjithë, duhet të jetë i fortë.
Si është largimi nga futbolli?
Po është pjesë e jetës, sepse edhe unë nuk kam dashur të largohem kurrë nga futbolli por vjen një moment kur thua kaq ishte se çdo gjë është me limit. Vetëm budallai nuk ka limite. Nuk e di nëse Mërgimi e di që edhe ai ka limitet e veta, siç i ka pasur edhe Maradona e Bekenbauer. /vipsport/