“Në thelb, ajo që ka më shumë rëndësi, është që fëmijët duhet të argëtohen duke luajtur futboll”, – shprehej Johan Cruyff. Kur e thotë Cruyff, askush nuk mund ta vërë në dyshim. Përtej futbollit të kompeticioneve zyrtare, që ne bëjmë tifo dhe është kthyer në një biznes të mirëfilltë, kemi edhe pjesën tjetër të tij. Atë të padukshmen, më të bukurën dhe më të sinqertën. Atë të rrugicave dhe këmbëve të zbathura me gjak. Histori të tilla që sjellin frymëzim dhe të falin kënaqësi ndodhin në të gjithë botën. Nga Korea e Veriut e deri te Uruguai, ka me miliona raste.

Eduasportin.com herë pas here futet në mes të këtij puzzle duke sjellë tek ju copëza të bukura të këtij sporti. Në udhëtimin tonë, këtë herë jemi ndalur në Meksikë. Në kontinentin Amerikan, aty ku sfera magjike është mbështjellë me bekimin nga lart, mbase edhe të vetë Zotit. Vatican City F.C është ekipi i futbollit i krijuar nga disa djem të ri për shkak të frymëzimit nga Papa Francesco.

Nuk ka asnjë lidhje me mikroshtetin brenda Italisë, përveç dashurisë së madhe për Zotin.

VATICAN CITY F.C – Ekipi i Vatikan City F.C është formuar në vitin 2005. Fillimisht, erdhi thjesht si ide, pasi një grup miqsh u mblodhën dhe për të mos prishur grupin miqësor. Ata nisën të luanin futboll thuajse çdo javë. Pas disa kohësh, kapiteni i skuadrës propozoi për miqtë që ishin njohur në grupet e kishës, të bashkoheshin dhe shndërroheshin në një skuadër të mirëfilltë futbolli.

Emri nuk ishte shumë i vështirë, pasi duke qenë se u mblodhën nga dashuria për Zotin dhe ishin katolikë të devotshëm vendosën ta quanin Vatican City F.C.
Në këtë mënyrë vendosën që këtë dëshirë ta përçonin edhe te njerëzit e thjeshtë dhe ta kalonin te më shumë njerëz.

Klubi i Vaticanit nuk merr pjesë në një ligë profesioniste, por në Liga Amatore në Meksikë. Ndeshjet e tyre nuk janë me 11 lojtarë, por me nga 7 futbollistë. Zëvendësimet janë palimit dhe skuadrat mund të fusin sa lojtarë të duan. Ideja kryesore është argëtimi dhe përcjellja e pozitivitetit.

Vatican City nuk është i vetmi klub me një emër të tillë për nder të Kishës dhe Papa Francescu-t. Në Afrikë ekziston simotra e një ekipi të tillë, madje ka pasur edhe lidhje mes klubeve. Të paktën këtë tregon Arturo Santillian, një nga futbollistët e skuadrës për Eduasportin.com.

Vatican Boma quhet klubi afrikan që ka arritur të lidhet me meksikanët dhe u kanë kërkuar që të zhvillojnë një ndeshje miqësore, por diçka e tillë nuk është arritur, pasi nuk kanë financat e duhura.

Rasti i ekipit të Vatican City F.C është një tjetër histori që tregon se futbolli krijon idhuj dhe të fal histori të jashtëzakonshme