Bekim Balaj duket se po kalon një moment pozitiv në karrierën e tij. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka arritur të realizojë gol në ndeshjen e sotme të skuadrës së tij Akmat Grozni në Rusi, por pa evituar të shmangë humbjen ndaj Spartakut të Moskës.
Shkodrani arriti të gjente golin në minutën e 9 të takimit, teksa përfitoi edhe nga një gabim në mbrojtjen e miqve, ndërkohë që më parë Spartaku kishte kaluar i pari në avantazh.
Balaj duket se ka gjetur formën e tij më të mirë, dhe po aktivizohet me vazhdimësi, ndërsa edhe me Kombëtaren arriti të shënonte golin e dytë në sfidën përballë Andorrës.
Këtë sezon, sulmuesi është aktivizuar rregullisht me skuadrën, ndërsa në ekipin e Akmat Groznit bën pjesë edhe futbollisti tjetër i Shqipërisë, Odise Roshi, por vlonjati është penalizuar nga dëmtimet e shumta duke qëndruar larg skuadrës, megjithatë në këtë takim ishte pjesë e stolit.
Ndërkohë, në pjesën e dytë, saktësisht në minutën e 77 u aktivizua edhe futbollisti i përfaqësueses së Kosovës Bernard Berisha./VipSport/