Koplikasit nuk e kanë patur shumë të lehtë të fitojnë ndeshjen e rradhës, atë që kanë luajtur pasditen e djeshme në qytetin e tyre me ekipine Sukthit. Ndeshja ka qenë e vlefshme për javën e 11-të të kampionatit të kategorisë së dytë dhe është shoqëruar nga një luftë e fortë sportive. Miqtë, ndonëse ka shumë pretendime në këtë kampionat, janë mundur të mbrohen me shumë forca por në fakt nuk ia kanë dalë. Kjo sepse në minutën e 13-të, Veleçiku ka arritur të kalojë në avantazh me anë të mbrojtësit Lami.

Ky gol I dha qetësinë skuadrës së drejtuar nga trajneri Besnik Duli megjithatë për të siguruar përfundimisht fitoren, duhej sigurisht edhe ndonjë gol tjetër. Në pjesën e parë nuk ka patur gol por ai është shënuar në të dytën. Ka ndodhur pikërisht në minutën e 69-të teksa sulmuesi Çokaj ka arritur të dyfishojë rezultatin por kur dukej se ndeshja do mbyllej këtu, miqtë nga Sukthi kanë shënuar në minutën e 74-të me anë të Bllacës duke e mbajtur lojën e hapur deri në fund por deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit të takimit, nuk ka patur gol tjetër. Me arritjen e kësaj fitoreje, sigurisht që koplikasit kanë dalë të kënaqur dhe kjo është dukur qartë edhe në fjalët e trajnerit Besnik Duli që gjithsesi thotë se duhet bërë kujdes edhe në ndeshjet e ardhshme. Me fitoren e djeshme, Veleçiku është ngjitur në kuotën e 26 pikëve duke mbajtur sërish vendin e parë me tre pikë më shumë sesa Olimpiku I vendit të dytë dhe ka hedhur edhe një hap tjetër drejt kalimit në kategorinë e parë.
Bashkim RAMEKAJ