Nëse në dy edicionet e kaluara Seria A kishte vetëm Atalantën si përjashtim nga rregulli, si skuadër që rivalizonte me ekipet e mëdha dhe gjendej mes tyre në majat e klasifikimit, në sezonin aktual futbolli italian po sheh disa ekipe të tilla që rivalizojnë denjësisht. Pas Sasuolos, në skenë ka dalë edhe Verona, e cila edhe pse me një buxhet shumë të kufizuar, po dhuron rezultate mbresëlënëse dhe tani e sheh veten me vetëm një pikë më pak se Juventusi.
Verona në këtë javë arriti të mundë Lacion në shtëpi me shifrat 2-1, duke i dhënë një mësim të mirë bardhekaltërve të cilët janë në vështirësi të dukshme të ndarë mes Ligës së Kampioneve dhe kampionatit italian, pasi duket se nuk janë në gjendje që të përballojnë të dy edicionet.
Autogoli i Lazaro i dha avantazhin veronezëve në pjesën e parë të sfidës ndërsa Kaisedo vendosi barazpeshën pak minuta pas rifillimit të duelit në pjesën e dytë. Megjithatë, Tameze shënoi golin që vulosi sfidën pak minuta më vonë, pas një gafe të mbrojtjes bardhekaltër në pasimin mbrapa të topit.
Fitorja e çon Veronën në vendin e 6, ndërsa Lacio mbetet në vendin e 8, shumë larg kreut e pretendimeve që kishte në këtë fillim të sezonit. /vipsport/