Ronald Kuman gjatë të gjithë këtij sezoni ka insistuar se skuadra aktuale nuk është ajo që do të kishte dëshiruar te Barcelona dhe se për shkak të kohës së kufizuar mes dy sezoneve në veën e kaluar, klubi praktikisht nuk kishte bërë merkato sipas kërkesave të tij. Një gjë të tillë ai e përsëriti edhe pas ndeshjes së fundit të sezonit, ku theksoi se praktikisht vetëm Dest kishte qenë një zgjedhje e tij.
Fjalë të cilat sipas medieve spanjolle paralajmërojnë një fushatë të ndryshme blerjesh nëse Kuman konfirmohet nga Laporta. Në Spanjë janë të bindur se tekniku holandez ka gati “listën e zezë” të personave që nuk dëshiron të ketë në ekipin e tij dhe burime pran klubit kanë shpjeguar për “AS” se ai po punon prej muajsh me drejtuesit që të bëjë të qartë idenë e tij për ekipin e ri.
Gazeta spanjolle bën të ditur se Kuman ka një listë me të paktën 9 emra që dëshiron të largohen: Mateus Fernandes, Miralem Pjaniç, Zhunior Firpo, Neto Murara, Martin Breithuejt, Samuel Umtiti, Filip Kutinjo, Francisko Trinkao dhe Riki Puig. Për dy të fundit mendohet më shumë huazimi, pasi klubi nuk do të lejojë talente të tilla të largohen pa dhënë kontributin e tyre te katalanasit.
Edhe Serzhi Roberto, Klement Lengle dhe Ousman Dembele janë persona të cilët Kuman është gati të sakrifikojë, por gjithçka do të varet nga largimi apo jo i Mesit, pasi në bazë të tij do të përcaktohet edhe strategjia e lojës së ekipit. Ndërkohë, përveç emrave që ai do të kërkojë që të afrohen në skuadër, do të ketë më shumë lojtarë të “La Masia” të cilët do të vihen nën urdhrat e teknikut, gjithmonë nëse do të jetë ky i fundit ai i cili do të jetë në pankinë në fillimin e edicionit të ardhshëm. /vipsport/