Marash Kumbulla vazhdon të thyejë rekord pas rekordi në sezonin e tij të parë mes profesionistëve në Itali. Rritja e mbrojtësit ka qenë mbresëlënëse dhe për të parashikohet një e ardhshme e shkëlqyer.

Kjo është arsyeja se pse portali i njohur i vlerave të merkatos, “Transfermarkt”, ka përditësuar përsëri vlerën e kartonit të tij duke e rritur ndjeshëm.

Falë ngritjes rekord në Serinë A prej 15 milionë eurosh më shumë nga përditësimi i fundit, tani Kumbulla vlerësohet 25 milionë euro, duke qenë në vendin e parë mes futbollistëve të përfaqësueses shqiptare, për të cilën ka luajtur deri tani vetëm pak minuta në ndeshjen ndaj Moldavisë.

Një vlerë e njëjtë kjo me atë të Thomas Strakoshës, me të cilin ndan këtë pozicion, pasi edhe portieri i Lacios tashmë vlerësohet 25 milion euro.

Vendi i tretë i mbetet Elseid Hysajt me 16 milionë euro, ndërsa 1 milion euro më pak tashmë kushton Berat Gjimshiti, i cili falë paraqitjeve të fundit ka rritur përsëri vlerësimin e tij.  

Më pas vazhdojnë me radhë Etrit Berisha (3), Emanuele Ndoj (3), Taulant Xhaka (2,5), Amir Abrashi (2), Keidi Bare (1,5) dhe Eros Grezda (1,35) të cilët plotësojnë 10 lojtarët më të vlerësuar të kombëtares shqiptare të futbollit. /vipsport/