Tek Partizani po vijon puna për përgatitjen e skuadrës për ndeshjen e rradhës, atë ndaj Flamurtarit. Ndërkohë ajo që është vërejtur, pavarësisht zërave të merkatos që ulin Armando Cungun në pankinën e kuqe, duhet thënë se puna ka vijuar me të tjerë trajnerë.
Bëhet fjalë për Oltion Kërnajën, trajnerin e ekipit Partizani “B” të cilit i është kërkuar ta drejtojë skuadrën deri në momentin e ardhjes së trajnerit të ri. Por ajo që bie në sy është prania përkrah tij e një trajneri të ri.
Bëhet fjalë për Realf Zhivanaj. Ky i fundit është vetëm 27 vjeç, por për arsye dëmtimi është detyruar të ndërpresë karrierën si futbollist dhe i ka hyrë fushës së trajnimit.
Siç shikohet edhe nga fotoja që është bërë gjatë seancës së sotme stërvitore, Zhivanaj është përkrah Kërnajës dhe kjo dyshe do të jetë në pankinë për ndeshjen e së dielës në Vlorë ndaj Flamurtarit. E ku ka më bukur, vetëm pak kohë si trajner dhe menjëherë duke përjetuar emocionet e drejtimit në elitën e futbollit shqiptar.(www.shkodrasport.com)