Vllaznia nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 kundër Dinamos në ndeshjen e javës së 14-të të Superligës. Një lojë jo në nivelin e duhur ndoshta ajo e shkodranëve mbrëmë. Kjo edhe si meritë e kundërshtarëve kryeqytetas që ditën të mbyllin mirë hapësirat dhe të qëndronin fort në mbrojtje.
Por patjetër rastet më të pastra i kishte Vllaznia në këtë takim. E sidomos në 10-15 minutat e fundit ku ekipi i Brdariç ishte në sulm me forca të shumta, ku në një moment sulmonte me 5 lojtarë sulmues. Rastin më të pastër në këtë ndeshje e kishte sulmuesi kroat Ante Aralica.
Një korsim mjaft i bukur nga e djathta me anë të Latifit do gjente në zonë Aralicën. 25-vjeçari e kthen mjaft bukur me kokë e ndërsa portieri i ri Simoni realizon një pritje të mrekullueshme. Patjetër që shtatlarti kishte mundësinë që të bënte më mirë në goditjen e tij me kokë.
Do ishte goditja që me siguri do i sillte 3 pikët shkodranëve. Të gjithë sytë patjetër janë tek kroati që të gjejë golin në çdo takim, duke qenë se është edhe pika e referimit në sulm.
Por ndoshta kësaj rradhe fati dhe portieri Simoni nuk ia bënë të mundur. Të gjithë tifozët presin që Aralica ta “lajë” veten në ndeshjen kundër Kukësit, ku në Shkodër javën tjetër të gjithë duan 3 pikëshin.
Endri ÇINARI