Barazimi i fundit i Vllaznisë kundër Erzenit në shifrat 2-2 la një shije të hidhur në kampin shkodran. Në një moment ku të gjithë prisnin që kuqeblutë të krijonin një vazhdimësi, një gjë e tillë nuk ndodhi. Kjo pas ndalesës së fundit kundër shijakasve, ku Vllaznia po kryesonte në shifrat 2-0 deri 15 minuta para fundit të takimit.

Por dueli i fundjavës tregoi edhe njëherë problematikën e shfaqur gjatë të gjithë këtij kampionati. Mbrojtja e Vllaznisë është shumë e brishtë dhe ndëshkohet sistematikisht në çdo javë. Dy golat e fundit të pësuar kundër Erzenit, e dërgojnë në 12 numrin e golave të pësuar këtë edicion. Dhe kjo shifër në vetëm 10 javë kampionat.

Shifra shqetësuese këto për një ekip që pretendon për zonat e larta të renditjes. Prapavija kuqeblu është ndër më të ndëshkuarat në Superiore, ku më keq ka bërë vetëm Teuta, ku durrsakët kanë pësuar 16 gola. Duhet theksuar se “djemtë e detit” mbajnë vendin e fundit në renditje. Po ashtu 12 gola ka pësuar edhe Kukësi në 10 javë kampionat.

Vetëm në dy ndeshje këtë sezon Vllaznia e ka mbajtur portën e paprekur. Kjo në fitoren 1-0 kundër Kastriotit dhe në barazimin 0-0 kundër Teutës. Një pikë që duhet parë për tu përmirësuar, ku ekipi ka humbur shumë pikë në këto javë për shkak të golave të shumtë të pësuar.
Endri ÇINARI