Bardheblutë, kampionë të Shqipërisë, janë skuadra që ka ndryshuar më shumë këtë sezon. Krahasuar me ekipin e titullit, janë larguar pothuajse të gjithë lojtarët. Të vetmit që kanë rezistuar nga titullarët janë Bekaj, Najdovski, Behiratçe e Toshevski.
Merkatoja dhe largimet kanë bërë që skuadra të shohë të gjithë kampionët larg vetes. I pari iku kapiteni Erjon Hoxhallari. Më pas, pikërisht pas Europës rrugën morën Seferi, Toli e Totre. Hemorragjia e largimeve te kampionët vazhdoi edhe në këtë janar, teksa ikën po kështu edhe dyshja Marsel Ismajlgeci e Redon Xhixha, si dhe Vesel Limaj. Shkurt, shtatë titullarë të skuadrës u dhanë lamtumirën bardhebluve.
Tirana është skuadra që ka humbur për një vit në vlerën e përgjithshme në “Transfermarkt”. Bardheblutë këtë sezon janë të tretit me 4.7 milionë euro vlerë totale lojtarësh. Shitjet dhe largimet e shumë futbollistëve kanë bërë që kampionët të jenë të tretit në renditjen e dhjetë skuadrave të Superiores.
Ama ekipi nga vjet kur doli kampion ka humbur 1.8 milionë euro në vlerën e përgjithshme. Në fund të sezonit të shkuar, Tirana vlente 6.48 milionë euro. Duket qartë se largimet e lojtarëve verën e shkuar dhe gjatë këtij janari kanë ndikuar në asetet e bardhebluve. Dhe për këtë mjafton të thuash që Visar Bekaj është lojtari më i shtrenjtë me 400 mijë euro.