Shkodra dhe Vllaznia janë shquar ndër vite për nxerrjen e futbollistëve të rëndësishëm në futbollin tonë. Patjetër historia është e mbushur me emra legjendarë, por ndër ata që mbesin gjithmonë në mendjen e spektatorëve janë sulmuesit.
Njerëzit që shënojnë gola, të cilët Shkodra i ka prodhuar me shumicë. Duke filluar nga emra të hershëm si: Loro Boriçi, Medin Zhega, Sabah Bizi.
E për të vijuar me lojtarë si Roland Luçi, Fasli Fakja e në vitet pas diktaturës me sulmues si: Sinani, Salihi, Miloti apo edhe “brezi” i fundit me Sukaj apo Balaj. Emra të gjithë të paharrueshëm për golat e tyre. Por golat e futbollistëve shkodranë duket se nuk janë të shumtë në këtë edicion të Superiores.
Kështu “Shkodra Sport” në një vëzhgim të 3 fazave të kampionatit ka nxjerrë disa statistika. Janë vetëm 14 golat e lojtarëve shkodranë në këtë edicion 2021-22. Shënuesi më i mirë është Rubin Hebaj me 4 gola. Sulmuesi i afruar në janar tek Teuta, është shkodrani që ka shënuar më shumë në Superligë.
Pas tij është Edon Hasani i Kastriotit me 3 gola ndërsa treshen e parë e mbyll Ildi Gruda i Teutës me 2 gola. Nga një gol kanë shënuar edhe Ndriçim Shtubina (Egnatia), Abaz Karakaçi (Kastrioti) dhe Ardit Nikaj (Skënderbeu). Kriza e shkodranëve ndihet edhe tek Vllaznia, ku nga 36 golat e kuqebluve këtë edicion vetëm 2 janë shënuar nga shkodranët, 1 nga Erdenis Gurishta dhe 1 nga Ardit Krymi.
Duket se tashmë futbollistët shkodranë nuk janë më në “modë” në kampionatin tonë dhe skenën e kanë marrë të huajt. Tashmë ndoshta duhet të presim edhe disa kohë për të shikuar një si: Sinani, Bizi, Boriçi e të tjerë.
Endri ÇINARI