Me një formë pozitive të treguar në ndeshjen e sotme ndaj Partizanit, Antonio Delaj ishte një ndër faktorët kyç në fitoren e Vllaznia U-21. Mesfushori anësor ka treguar gjithë klasin e tij në ndeshjen e sotme, duke nxjerrë në pah edhe njëherë tjetër aftësitë e tij dhe duke treguar se është një futbollist me shumë të ardhme.
Megjithatë, jo vetëm kaq. Gjatë ndeshjes, Delaj arriti të fitojë edhe penalltinë e kthyer në gol më pas nga Pjeshka. Realisht, futbollistët e Vllaznia U-21 duhet të kenë edhe vëmendjen e gjithë stafit teknik të ekipit të parë dhe Delaj është njëri prej tyre që e meriton një gjë të tillë.
Futbollisti 19-vjeçar ka folur në një intervistë për mediat pas ndeshjes me Partizanin, teksa është ndalur jo vetëm te ky duel, por edhe për synimet e tij në ekipin e parë, pasi është një lojtar që premton me të vërtetë shumë. Delaj u shpreh se Vllaznia U-21 e meriton fitimin e këtij kampionati, ndërsa theksoi se shpreson të marrë minuta edhe në ekipin e parë.
“Unë besoj që ishte një ndeshje e luftuar. Ne e kishim përgatitur këtë ndeshje. Çunat dhanë maksimumin dhe besoj se e merituam këtë fitore, por meritojmë edhe fitimin e kampionatit. Ne ishim katër futbollistë nga ekipi i parë. Unë, Alivoda, Pjeshka e Spahija dhe besoj se kemi dhënë maksimumin sot për të marrë këtë fitore.
Në mungesë të minutave në ekipin e parë, duhet të luajmë me U-21 dhe të shpresojmë që tek ekipi i parë të marrim disa minuta. Alivoda është një futbollist shumë i mirë dhe shumë teknik dhe besoj se do të ecë përpara.
Ne duhet të ruajmë ritmin dhe me këtë ekip e motivim që kemi, besoj se do të dalim kampion. Shpresoj që edhe në fundjavë, Vllaznia të fitojë me Tiranën në “Klasiken” e futbollit shqiptar, pasi edhe grupi është i mirë dhe fitorja do vijë.
Detyra ime është të jap maksimumin në stërvitje me ekipin e parë dhe në dorë pastaj e ka stafi dhe trajneri Goçe Sedloski për aktivizimin tim”,-mbylli prononcimin e tij, mesfushori i Vllaznia U-21, Antonio Delaj.
Maringlen ZHIVANI