Vllaznia do të luajë ndeshjen e kthimit kundër Linfild në “Loro Boriçi” me rezultatin e ndeshjes së parë që u mbyll 3-1 për irlandezo-veriorët. Sulmuesi i kuqebluve, Bekim Balaj, u shpreh se skuadra ka shanset e saj për t’u kualifikuar me mbështetjen e ekipit shkodran.
“Kam humbur raste, do të humb. Futbolli është lojë gabimesh. Dëshira ishte e madhe që të shënoja gol dhe mund të ndryshonte rrjedhën e lojës, por që duhet të vazhdojmë të shohim para dhe të bëjmë më të mirën për ndeshjen e radhës.
Si unë dhe skuadra jemi në gjendje shumë të mirë. Mendoj se kjo është një ndeshje tjetër. Kjo është një përballje me dy takime. Sigurisht që në ndeshjen e parë u munduam të jemi më të kujdesshëm, të jemi më racional, të merrnim më të mirën atje që të tentonim kualifikimin në Shkodër. Nuk na la një shije të mirë rezultati 3-1, por që mundësia është reale që me mbështetjen e tifozëve. Në Shkodër pritet me interes shumë të madh, kështu me ndihmën e tyre mund ta bëjmë të mundur përmbysjen e rezultatit.
Tifozët mund të jenë të mërzitur, normale me rezultatin e ndeshjes së parë. Por jqam i bindur që kjo ndeshje do të jetë një fytyrë tjetër. Rezultatin e dimë, nuk kemi se çfarë humbim. Kështu që me mbështetjen e të gjithë Shkodrës jam i bindur që mund të kualifikohemi.
Presioni është normal në futboll. luajmë në nivel europian, kështu që presioni është normal. Jemi në gjendje që e menaxhojmë. Nuk është hera e parë që luajmë në këto nivele, kështu që futboll pa presion nuk ka. Mendoj se të gjithë jemi përgatitur dhe këto ditë është bërë ajo që është e nevojshme që gjatë ndeshjes të shkojmë në formën më të mirë psikologjike.
Optimizmi mendoj se më ka karakterizuar gjithmonë. Kam besim te kjo skuadër siç duhet të keni dhe ju. Përballemi me një kundërshtar të tillë që e panë të gjithë. Nuk është e lehtë, por jo e pamundur. Optimizmi dhe pozitiviteti duhet të na karakterizojë të gjithëve.
Ka vend për të punuar akoma. Shpresoj që nesër në fushë të bëjmë një paraqitje të mirë. Pastaj lidhja e skuadrës duhet të forcohet më shumë në të ardhmen.
Mendoj t’i marrim gjërat me radhë. Tre gola nuk janë pak, por në Shkodër është treguar dhe më herët nga eksperienca e para dy viteve. E kemi të freskët atë që bëri Vllaznia, pse mos ta tentojmë dhe këtë herë”, u shpreh Balaj.