Vllaznia po demostron “garanci” dhe stabilitet deri në këtë pikë të sezonit, jo vetëm në Superiore, sikurse në Kupë. Ditën e sotme, kuqeblutë arritën të fitonin edhe ndeshjen e dytë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë 2 – 1, duke siguruar “biletën” për fazën tjetër dhe afruar me trofeun. Pas ndeshjes, foli për mediat trajneri i ekipit shkodran Edi Martini:
“Në letër ishte më e thjeshtë se në fushë të them të drejtën, sepse duhej të lija lojtarë pushim. U befasova faktikisht sepse Bylisi kishte ardhur me formacionin më të mirë dhe unë nuk kisha mundësi për t’i futur të them të drejtën, sepse mendova për ndeshjen e të dielës.
Ishte ndeshje që kisha frikë se në momentin kur fut gjysmën e formacionit dhe më shumë se gjysmën e lë pushim, mund të ndodhë edhe ndonjë dramë. Megjithatë, edhe ata që luajtën e filluan dhe hyn më pas, komplimente se luajtëm mirë dhe bënë punën.
Të them të drejtën jam i kënaqur se si hynë në fushë që nga minuta e parë, si Dros. Ishte mjaft mirë, Kuros mirë por ka nevojë për minutat e veta sepse edhe ai nuk ka luajtur dhe ka qëndruar gjatë pushim. Edhe Tafili luajti mirë, në përgjithësi luajtën mirë kështu që janë një garanci më shumë për stolin.
E kisha frikë si ndeshje, se kur vjen një ekip që nuk ka çfarë të humbasë, luan gjithçka për gjithçka dhe mund të të bëjë dëm, ndaj e kisha frikë si ndeshje. Shyqyr Zotit fituam, jemi më të qetë, pas daljes me karton të kuq u qetësova plotësisht. Por përsëri duhet të jemi më cinik në repartin e mbrojtjes se ato raste që krijuan, nuk duhet të na i krijojnë.
Kjo ndeshje iku, mbaroi, presim shortin. Është shumë e rëndësishme ndeshja e Vlorës, çdo ndeshje në këtë fund kampionati është njëra më e rëndësishme se tjetra.
Thashë shyqyr që disa lojtarë ruajtën energjitë, i lamë pushim. Kjo është ajo që më gëzon. Pastaj ndeshja e Vlorës është një ndeshje tejet e vështirë, por duhet ta përgatitim mirë, të jemi të qetë gjatë javës, të rikueprojnë energjitë lojtarët që i humbën, kështu që është ndeshje e vështirë”.


