Vllaznia e Thomas Brdariç është duke jetuar një ëndërr. Shkodranët kanë dalë jashtë çdo pritshmërie, teksa udhëheqin Kategorinë Superiore, pas 17 javësh ku kanë arritur të sigurojnë 32 pikë.
Një nga armët kryesore të suksesit të shkodranëve, është padyshim fryma pozitive brenda grupit. Lojtarët dhe stafi teknik duken më të bashkuar se kurrë, teksa këtë fakt e dëshmojnë, edhe videot e ndryshme të postuara në rrjetet sociale.
Ka qenë mesfushori Ardit Krymi, i cili së fundmi ka ndarë me ndjekësit e tij në “Instagram” disa momente të veçanta, të skuadrës pas triumfit ndaj Kukësit.
Lojtarët janë grumbulluar në një prej restoranteve pas ndeshjes, teksa krijojnë një kor special duke trokitur duart te tavolina: “O Vllaznia, o Vllaznia, të ka zili e gjithë Shqipëria”, dëgjohet të këndojnë ndër të tjera futbollistët e Vllaznisë.