Presidenti i Vllaznisë në volejboll për femra, Florian Zekja, pas fitimit të titullit kampion, ka folur me superlativa për vajzat e këtij ekipi. Këto të fundit janë shpallur fituese pas një sezoni të gjatë dhe duhet thënë se kanë spikatur me paraqitjet për mënyrën e lojës së tyre.
Zekja u shpreh se kur sheh vajza si Beci, Malaj, Kodra dhe Erkoçi në fushën e lojës, inkurajohesh për sezonin e ardhshëm, që të bësh më tepër. Ai u shpreh se shpreson që vitin e ardhshëm, të jenë më mirë me të gjitha ekipet e femrave që ai drejton.
“Fillimisht, një falënderim i veçantë për mediat, që na kanë ndenjur afër në gjithë këtë udhëtim në këtë sezon. Na kanë ndenjur si në Shkodër, ashtu edhe në transfertë. Kështu që, urimin e parë po ua jap juve. I dyti është shumë i rëndësishëm, për vajzat tona, për stafin teknik me në krye trajnerin Bardeli, për gjithë këtë sakrificë që kemi bërë, e cila u kurorëzua sot me fitimin e titullit kampion.
Kur sheh vajza si Sarah Beci, Malaj, Kodrën dhe Erkoçin etj, normalisht që të japin kurajo që vitin e ardhshëm, të bëjmë shumë më tepër.
Ne shpresojmë që në këtë rrugëtim të vazhdojmë kështu siç e kemi filluar. Ky është një ogur i mirë. Vajzat e U-20 fituan gjithçka, që ishte për t’u fituar këtë vit. Kështu që, shpresoj që vitin e ardhshëm të jemi edhe shumë më mirë”,-mbylli prononcimin e tij, presidenti i Vllaznisë në volejboll për femra, Florian Zekja.
Maringlen ZHIVANI