Vllaznia e volejbollit të femrave duket se po vazhdon hap pas hapi drejt synimeve të mëdha dhe pretendimeve ambicioze për një ekip pretendent. Një gjë e tillë u shfaq edhe në fushën e lojës pasditën e djeshme në sfidën e vlefshme për Ligën “Gjergj Kastrioti” ndaj Dritës së Gjilanit, ku Vllaznia fitoi me rezultatin 3-1.
Skuadra kuqeblu po shoqërohet edhe me rikthimet e disa volejbollisteve në organikën e saj, të cilat kanë krijuar një klimë pozitive dhe kanë dhënë një ndihmesë të madhe në këtë ekip. Pikërisht, një gjë të tillë e pranon edhe presidenti Florian Zekja, i cili në një prononcim për gazetën “Shkodra Sport” thotë se rikthimi i dy volejbollisteve, Klodeta Zhivani dhe Danjela Kodra, por sidomos i Zhivanit ka dhënë një ndihmë të madhe për ekipin e Vllaznisë.
Zekja u shpreh se fitorja ndaj Dritës ishte shumë e vlefshme për vazhdimësinë e ekipit kuqeblu, ndërsa theksoi se kjo ndeshje e bën Vllazninë në volejboll për femra dhe volejbollistet e saj të avancojnë sërish më përpara dhe të rriten më shpejt.
“Një fitore që ishte shumë e vlefshme. Emocionet ishin të mëdha, ishte një ndeshje e bukur për publikun dhe për ne. Unë them që ne jemi një hap përpara për atë që është objektivi jonë. Jemi akoma herët, por gjithsesi e thashë edhe më përpara që ndeshjet me ekipe cilësore, siç është Drita e Gjilanit, na bëjnë që ne të avancojmë më përpara dhe të rritemi më shpejt.
Rikthimi i dy vajzave, Zhivani dhe Kodra, por sidomos i Zhivanit ka dhënë një tjetër ndihmë për ekipin e Vllaznisë. Normalisht, edhe Zhivani ka nevojë që për gjithë atë periudhë që ishte jashtë stërvitjet, ka nevojë që të rikuperojë që të vijnë në formën e saj 100%, por gjithsesi kontributi i saj shihet që tani.
Vllaznia është shtëpia e të gjitha vajzave që kanë luajtur dhe duan të luajnë. Nuk ka asnjë përjashtim apo le të themi hatërmbetje për vajzat. Kush dëshiron të rikthehet, mjafton të bjerë dakord me trajnerin Lisha dhe për mua nuk ka asnjë problem.
Normalisht, ne luftojmë për të gjitha. Normalisht, pas një ndeshje kaq të bukur, trajneri Lisha është edhe më entuziast normalisht, por kam përshtypjen se na duhet akoma kohë, na duhen akoma ndeshje si kjo e sotmja. Na duhet shumë stërvitje dhe na duhet shumë punë.
Ndeshja e rradhës ndaj Skënderbeut në Korçë? Eshtë një ndeshje e fortë, pasi edhe në Kupë ata janë kualifikuar. Për mendimin tim, bashkë me Partizanin janë dy ekipet më të mira të vendit tonë. Kështu që, mendoj që një paraqitje e mirë edhe me Skënderbeun në Korçë, pavarësisht rezultatit, do të ishte një hap përpara për ekipin e Vllaznisë”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, presidenti i Vllaznisë në volejboll për femra, Florian Zekja.