✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA
Ekipi i Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër konfirmohet edhe njëherë tjetër si një nga më të mirët dhe pretendentët për të fituar kampionatin 5×5 Masters që po zhvillohet nga SHRFSH në partneritet me Shoqatën “Pro Sport”. Mbrëmjen e sotme ai ka fituar edhe ndeshjen e tretë rradhazi, këtë herë ndaj ekipit të Drejtorisë Rajonale Tatimore Shkodër me rezultatin 10-5.
Duhet thënë se pjesa e parë ka qenë shumë e rivalizuar dhe madje kanë qenë tatimorët protagonistë në pjesën më të madhe të saj. Ato kanë shënuar golin e parë me anë të Fatjon Hoxhës, por ka barazuar Etrit Nika për Shoqatën.
Megjithatë ekipi i tatimorëve hyri sërish në lojë duke shënuar dy gola njëri pas tjetrit, fillimisht me anë të Agron Hasanajt dhe më pas me Enri Koxhajt. U duk se me avantazhin 3-1, ata do ta kontrollonin lojën por nuk do të ndodhte kështu. Ekipi i Shoqatës Rajonale reagon dhe shënon tre gola, dy me autor Vahedin Pepajn dhe një me Bledar Marshiq. Në këtë mënyrë pjesa e parë do të mbyllej me shifrat 4-3 për Shoqatën Rajonale Shkodër.
Në të dytën gjithçka flet për këtë të fundit që do të shënonte edhe gjashtë gola të tjerë me autorë Etrit Nikën (2), Bledar Marshiq (2) dhe nga një gol për Ermir Shimajn dhe Vahedin Pepajn. Ndërkohë ekipi i tatimorëve do të shënonte edhe 2 gola me të njëjtin autor, Fatjon Hoxhën që kësisoj plotësoi tripletën e tij në këtë ndeshje.
Ekipi i Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër në këtë mënyrë mee 9 pikë të plota kryeson renditjen, ndërsa ai i Drejtorisë Rajonale Tatimore mbetet në kuotën e 3 pikëve. Ndeshja tjetër e kësaj dite, ajo në mes Bashkisë Shkodër dhe OSHEE Shkodër është shtyrë për një datë tjetër.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”















