Vllaznia do të luajë nesër në ora 18:00 në “Arena e Demave” ndaj Partizanit, ndeshjen e rradhës për kampionat. Kuqeblutë do të luajnë ndaj skuadrës kampione në fuqi të vendit, e cila aktualisht po kalon një formë shumë të mirë, shoqëruar edhe me 5 fitore rradhazi në ndeshjet e fundit.
Megjithatë ekipi shkodran pritet të hyjë në fushë me një objektiv të qartë për ta fituar ndeshjen, pavarësisht mungesave që do të ketë në rradhët e saj. Trajneri Osmani është I mendimit se në rradhët e futbollistëve po kthehet besimi dhe kjo do të reflektohet edhe në fushën e lojës në ndeshjen e nesërme.
Po ashtu trajneri Qatip Osmani ka deklaruar sot në konferencën për shtyp se Vllaznia ndaj Partizanit mund të luajë me një vendosje ndryshe të lojtarëve në fushën e lojës dhe po ashtu mund të ketë edhe ndonjë ndryshim në formacionin që do ta nisë këtë sfidë nga minuta e parë.
Në portë ndaj Partizanit do të jetë Kristi Qarri, ndërkohë që lajm I mirë është rikuperimi I portierit tjetër Jurgen Mehidri I cili do të jetë i gatshëm në pankinë. Në mbrojtje Geralb Smajli do të luajë në krahun e djathtë dhe stafi teknik dëshiron të përfitojë nga forma shumë e mirë që ky lojtar po kalon.
Në qendër të prapavijës do të jetë dyshja Marko Juriç dhe Milosh Stojanoviç. Ndërsa në krahun e majtë të mbrojtjes pritet të luajë sërish Eslit Sala sepse Esin Hakaj ende nuk është gati për ta nisur nga fillimi, pavarësisht se ka filluar stërvitjen me ekipin.
Vllaznia do të luajë nesër me një skemë të re, pikërisht me 4-2-3-1 dhe si rrjedhojë, përpara mbrojtjes do të jetë dyshja Ardit Krymi dhe Lorik Boshnjaku. Para saj do të luajnë tre futbollistë të tjerë. Nga e djathta me shumë mundësi do të jetë këtë herë Mehdi Çoba, ndonëse nuk përjashtohet mundësia që të luajë sërish si titullar Ildi Gruda.
Në krahun tjetër të sulmit pritet që ta nisë si titullar 20 vjeçari Antonio Delaj, ndërsa në mes mendohet të luajë Rejan Alivoda. Ai do të jetë në mbështetje të kapitenit Bekim Balaj që do të jetë sërish në majë të sulmit.
Me këtë formacion, Vllaznia do të tentojë të rikthehet tek fitorja, ndonëse në pamje të parë kjo duket e vështirë sepse do të përballet me një prej skuadrave më në formë aktualisht të kampionatit shqiptar, por futbolli gjithmonë ka të papritura dhe shkodranët do ta tentojnë një të tillë nesër./SHKODRA-SPORT.COM/