Egnatia do të luaj sot në transfertë kundër Erzenit në kuadër të javës së 12-të. Kjo ndeshje do të zhvillohet në orën 17:00 në stadiumin “Arena e Demave” në kryeqytet, aty ku këtë sezon rrogozhinasit kanë luajtur kundër Partizanit, duke barazuar 1-1 në fazën e parë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i rrogozhinasve, Edlir Tetova, u shpreh se ekipi i tij do të synojë fitoren ndaj shijakasve. Ai theksoi se Egnatia ka dominuar ndaj çdo kundërshtari këtë sezon dhe është e destinuar për të qenë në krye të tabelës deri në fund.

Edlir, luani kundër Erzenit. Çfarë prisni nga ky duel?

Jemi munduar t’i marrim maksimumin ekipit në stërvitje para kësaj sfide. Erzeni luan futboll agresiv dhe ne kemi marrë masë për ta menaxhuar sa më mirë këtë sfidë. Do të bëjmë lojën tonë dhe do të futemi në fushë për tri pikët. Do te kemi kujdes ndaj ketij kundershtari qe javen e kaluar ndaj Vllaznise beri nje prezantim shume te mire duke bere edhe surprizen.

Egnatia do të vuajë mungesën e Aleksit të pezulluar, ndërsa në dyshim është Fernando. Ua prishin planet për mënyrën e lojës?

Sa i takon formacionit do të vendos pasi të mësoj edhe gjendjen e Fernandos. Lojtari ka ndierë dhimbje në këmbën e djathtë, por mjekët më kanë informuar se gjasat janë të mëdha për të qenë i gatshëm. Aleksi është një mungesë e rëndësishme, një titullar që na ndihmon shumë në të dyja fazat e lojës. Pavarësisht kësaj situate, ekipi që unë drejtoj i ka elementët e duhur për t’i zëvendësuar këta lojtarë.

Egnatia është parë të vuajë në fundin e sfidave, pse vjen kjo situatë?

Për të qenë konkret, me Skënderbeun shënuam shpejt dhe natyrisht do të mbronim rezultatin në fundin e lojës. Kundërshtarët luanin në fushën e tyre dhe nuk kishin çfarë të humbitnin dhe në një goditje standarde gjetën golin. Ishte një episod aksidental, pasi lojën po e kontrollonim ne. Me Kukësin u gjetëm në disavantazh, por arritëm të rikuperojmë, duke përmbysur gjithçka. Ekipi nuk rrezikoi asgjë, por duhet t’i mbyllim ndeshjet më parë, pasi shanset i krijojmë. Duhet të rregullojmë shënjestrën para portës.

E vuani presion e vendit të parë apo formula e re sjell një tjetër qasje për ekipet?

Nuk kemi aspak presion. Deri këtu kemi ardhur me meritë dhe jemi ndërtuar për të kryesuar. Egnatia ka treguar nivel, pasi ka organikë cilësore. Kemi dominuar çdo kundërshtar dhe ky është fakt. Përpiqemi t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe të respektojmë çdo rival. Kjo formulë mendoj që do të gjykohet kur të mbarojë sezoni. Vetëm atëherë mund të dalim në konkluzione. Egnatia luan çdo ndeshje sikur të jetë e fundit. Objektivi parësor është “Final 4”, por kjo nuk kundërshton faktin se ne do të mundohemi të udhëheqim deri në javën e 36-të.