✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA

Veteranët e Vllaznisë kanë arritur një fitore jo shumë të vështirë në ndeshjen e javës së parë të kampionatit 5×5 “Masters” që po zhvillohet nga Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër, në partneritet edhe me Shoqatën “Pro Sport”. Përballë tyre ka qenë ekipi i Bashkisë Shkodër dhe veteranët kuqeblu kanë triumfuar me rezultatin 7-3 ndaj tyre.

Ndonëse në ekipin e Bashkisë janë përfshirë edhe emra të tillë si Auron Miloti e Alban Neziri meqë janë pjesë e administratës, sërish diferencat në fushë kanë qenë të dukshme. Tek ekipi i veteranëve kanë qenë emra të tillë si Hysen Zmijani, Suad Lici, Safet Osja, Edmond Doçi, Valmir Kurti, Senad Mashi e Elis Dervishaj.

Pjesa e parë është mbyllur me avantazhin 4-0 në favorin e tyre ku autorë të golave ishin Valmir Kurti (2), Edmond Doçi dhe Elis Dervishaj. Në pjesën e dytë ka më shumë rivalitet dhe secili prej ekipeve shënon nga 3 gola. Për veteranët e Vllaznisë do të shënonte sërish Kurti edhe dy gola të tjerë e po ashtu edhe Safet Osja.

Ndërsa për ekipin e Bashkisë do të shënonte Auron Miloti dhe Alban Neziri (2 gola). Përfundimisht 7-3 për ekipin e veteranëve të Vllaznisë që duket se do të konfirmohet menjëherë si pretedent, por gjithsesi duhen pritur edhe ekipet e tjera për t’u parë se çfarë paraqitjesh do të bëjnë.

Nesër do të luhen dy ndeshjet e fundit të javës së parë të kampionatit ku e para do të jetë përballja e ekipeve të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Shkodër me atë të Spitalit Rajonal Shkodër e cila do të startojë në orën 17:30 dhe menjëherë pas saj do të ndeshet ekipi i Universitetit “Luigj Gurakuqi” me atë të Medias Shkodër.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

#