Nga Endri ÇINARI
Një nga ndeshjet më interesante të fundjavës në futbollin e moshave ka qenë ajo e ditës së shtunë mes Tirana u-16 dhe Vllaznia u-16. Një duel që luhej për kreun e klasifikimit dhe titullin kampion në këtë grup moshë. Gjithçka në “klasiken” e 16-vjeçarëve përfundoi në shifrat finale 2-2, duke treguar një futboll të bukur nga ana e dy kampeve dhe po ashtu vërtetuar se pse këto dy ekipe kryesojnë tabelën e renditjes.
Do ishte Vllaznia e drejtuar nga Haris Dalipi që do kalonte në avantazh të dyfishtë me anë të Gjonit fillimisht. Rrjetat e të cilit do barazoheshin nga një dopietë e Hakajt tek Tirana. , me dy skuadrat që ndanë pikët në fund dhe Tiranën që tashmë mban vendin e parë. Ku bardheblutë kanë 28 pikë kundrejt 26 të tillave që kanë grumbulluar kuqeblutë. Por, përpos futbollistëve në fushën e lojës, protagonist ka qenë edhe gjyqtari në këtë takim.
Kjo nga vendimet e marra të cilat kanë ndikuar në rezultatin dhe mbarëvajtjen e takimit. Nga disa pamje filmike që ka siguruar “Shkodra Sport” ka një penallti të mohuar qartazi në favor të Vllaznisë nga ana e gjyqtarit Erges Bala, i cili ishte kryesori i takimit. Në një moment ku rezultati është 0-1 për kuqeblutë, duhej të ishte akorduar një 11-metërsh në favor të shkodranëve e po ashtu një ndëshkim i mundshëm i futbollistit kundërshtar.
Një skenë e cila ripërsëritet nga java në javë tek futbolli i fëmijëve dhe që po dërgon në shkatërrimin e tij për shkak të gjykimeve të tilla, qofshin ato me qëllim ose jo. Ku Vllaznia ka qenë shpesh një “viktimë” e gjykimeve të tilla, me klubin kuqeblu që shpesh ka reklamuar këto veprime të gjyqtarëve, me pretendimet e tyre që kanë rënë në “vesh të shurdhër”. Pasi gabimet dhe vendimet në dëm të një prej akademive më të suksesshme dhe “fair play” në vend janë të pranishme çdo javë në fushën e lojës.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


