Shpeshherë flitet për Vllazninë e viteve ’80 dhe shumëkush e konsideron atë një brez të artë sportistësh. Kemi folur,
shkruar e lexuar shumë për disa prej pjestarëve të atij brezi, megjithatë ka edhe prej atyre që janë “harruar”.
Mjafton të bësh një kërkim në internet dhe askund nuk do të lexosh asnjë rresht për një nga mesfushorët më brilantë të Shqipërisë së atyre viteve, Viktor Brizën.

Shokë të ekipit janë të mendimit se ai e meritonte të luante edhe me kombëtaren e madhe, përderisa ka qenë pjesë e
kombëtares së të rinjve dhe e asaj Shpresa, por nuk ka ndodhur kështu ngaqë siç thotë Pashaj, “nuk i kishte prindërit
me shkollë partie”.

Briza është larguar në fillimin e viteve ’90 bashkë me familjen e tij drejt Greqisë, vend ku jeton ende edhe sot e kësaj dite. Larg medias, larg futbollit shqiptar dhe prandaj këto mund të jenë faktorët që askush nuk është kujtuar
për të prej gati 30 vitesh. Asnjë nderim, madje edhe më keq: Asnjë përmendje emri nga askush dhe kjo padyshim që nuk
është aspak e drejtë.

Më poshtë, do të keni mundësi të lexoni disa vlerësime të ish- kolegëve dhe ish- trajnerit të tij për të dhe do të
kuptoni se kemi të bëjmë me një nga mesfushorët më të mirë të Shqipërisë së viteve ’80. Bashke meto do te keni mundesi te shikoni disa prej fotove te protagonistit te ketij shkrimi, qe vijne per ju permes fotografit te mirenjohur Paulin Palushi.

KARRIERA

Ka lindur në Shkodër më 04.05.1962, pra sot ka ditëlindjen dhe feston 58 vjetorin e lindjes. Me futbollin do të lidhej shumë shpejt. Duke vizituar Shtëpinë e Pionerit, do të evidentohej nga i mirënjohuri Ernest Halepjani dhe aty kalon disa vite duke kaluar më pas në ekipet zinxhir të Vllaznisë.

Në sezonin 1980-81 kalon me të rriturit, sezon në të cilin Vllaznia fiton Kupën e Republikës megjithatë Briza është
thjesht pjesë e atij ekipi me emra të shquar në rradhët e tij. Një sezon më vonë ndërkohë do të debutonte si titullar
me fanellën e Vllaznisë, pikërisht më 25 tetor 1981 në Shkodër në ndeshjen e kampionatit që kuqeblutë fitojnë 2-0 ndaj Naftëtarit, falë golave të shënuar nga Luçi e Vukatana.

Në sezonin 1982-83 luan vetëm 8 ndeshje me Vllazninë, megjithatë jep kontributin e tij që skuadra kuqeblu të shpallet
kampione e Shqipërisë. Një sezon më vonë do të ishte ndryshe sepse tashmë ai fiton vendin e titullarit dhe luan 21 nga 26 ndeshjet e kampionatit.

Tashmë emri i Brizës është prezent kudo. Vllaznia e beson lojën e saj në mesfushë pikërisht tek ky lojtar dhe në sezonin 1984-85 luan 22 ndeshje dhe shënon 3 gola, pikërisht ndaj Flamurtarit, Naftëtarit dhe Traktorit.

Në sezonin 1985- 86 luan 21 ndeshje dhe shënon sërish 3 gola, respektivisht në portat e Tomorit, Skënderbeut dhe 17
Nëntorit. Një sezon më vonë, 26 ndeshje në kampionat, të gjitha si titullar dhe 3 gola të shënuar ndaj 17 Nëntorit,
Besës dhe Dinamos. Po në sezonin 1986- 87 do të ishte protagonist edhe në fitoren e Kupës së Republikës për Vllazninë.

Madje në finalen e parë ndaj Flamurtarit, atë të luajtur në stadiumin “Vojo Kushi” më 1 qershor të vitit 1987, është
njëri nga autorët e tre golave të Vllaznisë në fitoren 3-0 ndaj vlonjatëve (dy të tjerët u shënuan nga Pashaj dhe
Rragami), ndërsa dy javë më vonë pas ndeshjes së fituar 3-1 nga Flamurtari, shkodranët fituan trofeun e Kupës dhe
Briza padiskutim që ka edhe ai rolin e tij në këtë sezon.

Ndërkohë, sezoni 1987- 88 do të ishte i fundit për Brizën me fanellën e Vllaznisë ai do të luante si titullar në të 36 ndeshjet e kampionatit dhe duke shënuar 4 gola, respektivisht në portat e Dinamos, Apolonisë (2 herë) dhe Labinotit.

Gjatë viteve që ka qenë pjesë e Vllaznisë, Viktor Briza ka luajtur rregullisht me Kombëtaren e të rinjve të Shqipërisë dhe më pas edhe me Kombëtaren Shpresa ndërkohë që ka luajtur edhe në Kupat e Europës dhe në Kupën Ballkanike.

Ndërkohë, në fillim të sezonit 1988- 89, mesfushori shkodran do të linte vllazninë dhe do të kalonte tek Dinamo ngaqë
nis të jetojë në Tiranë. Kjo ngaqë ai do të martohej me volejbollisten e njohur të Dinamos së atyre viteve- Agi
Babulin dhe do të nisnin një jetë të re sëbashku në kryeqytet.

Me Dinamon që në sezonin e parë, 1988-89, fiton Kupën e Republikës ndërkohë që të njëjtën gjë e përsërit edhe një
sezon më pas, madje Briza ka dalë edhe kampion në sezonin 1989-90 me këtë ekip duke luajtur përkrah emrave të tillë si Strakosha, Vata, Abazi, Demollari, Stafa, Canaj, Ferko etj, nën drejtimin e trajnerit Bejkush Birçe.

Më pas do të merrte pjesë edhe në ndeshjet e Kupës së Kampioneve të Europës duke luajtur me shumë sukses pikërisht në përballjet që ky ekip bëri me Olimpik Marsejë. Me Dinamon do të luante deri në fund të sezonit 1990-91 sespe më pas do të largohej bashkë me familjen e tij për në Greqi, aty ku jeton edhe sot e kësaj dite.

Kjo ishte karriera e Viktor Brizës, një prej mesfushorëve më të mirë të Vllaznisë por edhe të futbollit shqiptar në ato vite. Një vlerësim të tillë kanë dhënë në fakt edhe disa prej kolegëve dhe po ashtu edhe ish- trajneri i tij Hafizi në prononcimet e tyre që kanë dhënë për “Shkodra Sport” të cilat mund t’i ndiqni më poshtë:

ISAK PASHAJ FLET PËR VIKTOR BRIZËN

“Unë jam rrit në sport me Viktorin, qysh me të rinjtë, më pas me ekipin kombëtar Shpresa e po ashtu tek ekipi i parë i Vllaznisë. Jam i vetmi që e kam përmend në një intervistë me gazetarin Gaspër Marku pak kohë më parë sepse shoh që
emri i tij është harruar. Ka qenë një nga mesfushorët më të mirë të Shqipërisë në vitet 1986 dhe 1987 por që nuk bani karrierë si shumë talente të tjera, pasi nuk i kishte prindërit me shkollë partie!!!

Ia vlen të shkruhet për të sepse ka qenë një futbollist dhe djalë i mrekullueshëm”- është shprehur në prononcimin e
tij për “Shkodra Sport” ish- mbrojtësi i Vllaznisë së atyre viteve Isak Pashaj kur flet për kolegun e tij të skuadrës
Viktor Briza.

HYSEN DEDJA PËR VIKTOR BRIZËN

“viktori ishte një nga talentet e mesfushës së Vllaznisë. Një njeri i edukuar në të gjitha drejtimet. Kishte një përdorim perfekt të topit. Ka dhënë një kontribut shumë të madh në cilësinë e futbollit shkodran e më vjen keq që pak kujtohet në arkivat e klubit vllaznia.

Briza është edhe fitues trofesh me këtë skuadër, kupash e kampionatesh dhe nuk ja vlen të harrohet. Një mesfushor që ka rënë me njëherë në sytë e të gjithëve për përdorimin e topit dhe njëkohësisht ka patur një shikim periferik të gjithë fushës”- ka thënë në prononcimin e tij dhënë për “Shkodra Sport” ish- futbollisti dhe ish- trajneri i Vllaznisë Hysen Dedja kur flet për Viktor Brizën.

FATBARDH JERA FLET PËR VIKTOR BRIZËN

“Viktori ka qenë një djalë dinjitoz si në shoqëri ashtu edhe në aspektin sportiv. Një organizator i shkëlqyer ku për
disa vite ka drejtuar lojën e ekipit tonë. Ka qenë pa shumë fjalë por punëshumë, kështu e kujtoj dhe e kam njohur unë
këtë koleg dhe futbollist shumë të mirë.

Unë mendoj se Briza nuk mori atë që dha në sport. Ndoshta emri i tij u sfumua pak nga ne të tjerët që ishim edhe pjesë e kombëtares, por kontributi i tij tek Vllaznia e atyre viteve është i padiskutueshëm dhe shumë i madh. Ju vlerësoj maksimalisht juve që po kujtoheni për të shkruar për një figurë të tillë sportive që meriton më shumë vëmendje”- thotë Jera në prononcimin e tij për “Shkodra Sport” në lidhje me këtë futbollist.

HYSEN ZMIJANI FLET PËR VIKTOR BRIZËN

“Të flasësh për Brizën është gjithmonë kënaqësi sepse kemi patur të bëjmë me një futbollist i cili thjeshtësinë dhe
bukurinë i ka patur gjithmonë konstante në lojën e tij. Ka qenë një lojtar i përpiktë në zbatimin e detyrave mbrojtëse kur i janë ngarkuar, ndonëse prioritet për të ka patur ndërtimi i lojës sulmuese të ekipit.

Viktori ka patur intuitën e duhur për të rënë në sy me fantazinë e tij dhe mënyrën si e shpërndante lojën, po ashtu ka patur edhe një goditje të mirë. E ka ndihmuar shumë skuadrën gjatë atyre viteve, ka qenë një lojtar i padiskutueshëm në formacion”- është shprehur ai në prononcimin e tij për “Shkodra Sport” Hysen Zmijani teksa flet për ish- kolegun e tij tek Vllaznia.

ASTRIT HAFIZI FLET PËR VIKTOR BRIZËN

Për 2-3 sezone ka luajtur përkrah tij në skuadër dhe më pas e ka patur sportist. E kemi fjalën për të mirënjohurin
Astrit Hafizi që në fillimet e viteve ’80 luajti përkrah Brizës në formacionin e Vllaznisë dhe më pas, nga viti 1984 deri më 1988 e ka drejtuar si sportist.

Ish- trajneri i Vllaznisë dhe i kombëtares shqiptare, pranon me kënaqësi të flasë për “Shkodra Sport” në lidhje me
Viktorin për të cilin duket se ka veç fjalë të mira.

“Briza që në momentin e parë kur erdhi tek ekipi i parë, më ra në sy për qetësinë olimpike që e zotëronte, për mënyrën e kontrollit të topit sepse ishte shumë inteligjent. Kishte pak mangësi ndoshta në fakti që nuk ishte shumë agresiv, por këtë e kompesonte me këto veçoritë e tjera.

Më pas kur u bëra trajner i Vllaznisë, sigurisht që lojën e mesfushës e bazova tek ky lojtar. Kishte zgjuarsi në lojë
e kjo binte qartë në sytë e të gjithëve. Dallonte mbi të tjerët edhe për marëdhënien shumë të mirë me topin. Po ashtu, ishte një djalë shumë korrekt dhe i sjellshëm.

Lojtar që na ndihmonte shumë në lojën e ekipit dhe nëse në ato vite Vllaznia ka rënë në sy për lojën e bukur, meritë
padiskutim që kishte edhe Briza. Vllaznia në fakt edhe më përpara ka patur lojtarë të tillë në këtë repart, por kaluan disa vite dhe nuk kishim një lojtar të tillë në rolin e organizatorit. Dalja e tij, ishte diçka shumë pozitive për Vllazninë. Një futbollist shumë elegant dhe i bukur për t’u parë në fushën e lojës.

Unë e kam vlerësuar shumë sepse kishte edhe një edukatë të lartë dhe plotësonte të gjitha karakteristikat e një
lojtari që unë pëlqeja. Prandaj dhe Viktor Briza ka qenë një element i padiskutueshëm i Vllaznisë së atyre viteve”- ka thënë ish- trajneri Astrit Hafizi.
Gjergj KOLA