Në Shqipëri dhe jo vetëm nuk është e lehtë të prodhosh “bombera”, kjo reflektohet qartë edhe në numrat e këtij sezoni. Kudo në botë flitet me shifra të “çmendura”, sa herë diskutohet për një sulmues në tregun e transferimeve.

Për fat të mirë, Shqipëria, mbi të gjitha Shkodra, e ka pasur luksin të kishte një “bomber” të vërtetë, një sulmues si Vioresin Sinani.

“Mbreti” i golit, ky është një epitet që Sinani e ka fituar në fushë, teksa askush nuk ka mundur të thyejë rekordet e tij të shumta, 208 gola në elitë, si askush tjetër më parë, gjithashtu 36 gola brenda një sezoni të vetëm, rekorde që vijojnë të qëndrojnë në fuqi.

Në një intervistë ekskluzive për News24, për emisionin Sport News të moderuar nga Enxhi Biba, Sinani u ndal fillimisht te këto detaje, te këto shifra që, edhe pse të vështira për t’u arritur, shpreson që një ditë të thyhen.

Sinani foli për Vllazninë e këtij sezoni, çfarë ndodh në këtë qytet që kaq shumë e dashuron futbollin, mbi të gjitha pse po vonon kaq shumë një titull kampion, 21 vite mungesë. Ish-sulmuesi i famshëm i Vllaznisë foli dhe për Armando Brojën, të cilin e konsideron si një bekim për ekipin përfaqësues.