Mbrëmë ishte edhe ceremonia gala e organizuar nga FSHF për të shpallur më të mirët e këtij viti që po mbyllet. Kështu u shpall formacioni i i vitit në Superligë. Trajneri dhe lojtari me i mirë i vitit, si edhe futbollistja më e mirë. Edhe Vllaznia kishte përfaqësuesit e saj tek më të mirët e vitit.

Erdenis Gurishta dhe Mevlan Adili ishin pjesë e 11-tshes së vitit. E trajneri Thomas Brdariç si timonieri më i mirë, pa harruar futbollisten më të mirë femër, Megi Doçi.

Por në opinionet dhe mendimet e ekspertëve të futbollit patjetër që në formacionin e vitit duhej të kishte akoma më shumë lojtarë të Vllaznisë.

Një ndër ta është Esin Hakaj. Mbrojtësi i krahut të majtë zhvilloi një pjesë të parë të vitit në nivele të jashtëzakonshme me Partizanin.

Me 7 asiste të dhuruara për të kuqtë, ishte mbrojtësi me më shumë pasime për gol në kampionat. Po ashtu duket luajtur gjithë minutat e plota e duke mos munguar në asnjë ndeshje të kampionatit të shkuar.

Performanca e tij vazhdoi e tillë edhe pas kalimit tek Vllaznia në merkaton e verës. 25-vjeçari është i pazëvendësueshëm në krahun e majtë.

E po ashtu ka dhuruar 5 asiste deri në këtë pikë të sezonit. Një performancë e shkëlqyer kjo e Hakajt gjatë këtij viti që patjetër duhej të kishte një vlerësim më të lartë.

Endri ÇINARI