Erik ten Hag thotë se ai dhe stafi i tij janë të kënaqur me skuadrën që ka në dispozicion, ndërsa sezoni për Mançester Junajtidin nis sot me ndeshjen kundër Ulvërhemptonit.

Sulmuesi i transferuar nga Atalanta, Rasmus Hojlund, i cili ka pasur një problem me shpinën, nuk është ende i gatshëm për të luajtur. Malacia, Maino, Dialo, Hitën dhe Henderson janë gjithashtu jashtë skuadre.

Por Onana dhe Maunt, dy blerjet e tjera të “djajve” në merkaton e verës, pritet të jenë titullarë. “Unë jam i kënaqur me skuadrën që kam në dispozicion”, tha trajneri holandez në konferencën për shtyp.

“Nuk mund të krahasoni kurrë sezonet me njëri-tjetrin, por unë mendoj se ne jemi shumë më përpara se sezonin e kaluar. Mendoj se kemi pasur një fazë përgatitore shumë të mirë.

Nivelet tona të gjendjes fizike janë shumë të mira. Ne jemi shumë të sigurt, por dua të përmend gjithashtu se fazat përgatitore nuk thonë asgjë, janë vetëm ndeshje miqësore. Kur hyn në fushë për pikë është një qasje e ndryshme për të dyja skuadrat. Ne jemi gati, ne duam të luftojmë”, shtoi tekniku i “djajve”.