Vllaznia pas Kukësit ka mundur edhe Tiranën. Madje krejt lehtësisht. Asaj I kanë mjaftuar 45 minuta për ta bërë këtë gjë në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi”. Golat e Shtubinës në minutën e 26-të dhe kroatit Bushiç tre minuta më vonë, kanë fiksuar rezultatin përfundimtar të ndeshjes 2-0 për kuqeblutë. Megjithatë ata kanë qenë të favorizuar edhe nga dalja me karton të kuq që në minutën e 15-të të ndeshjes e sulmuesit të Tiranës Gerc pas goditjes së tij ndaj Rajoviç. Me një futbollist më shumë, shkodranët kanë zgjidhur gjithçka shumë shpejt e në fakt është pritur që të kishte goleadë në këtë ndeshje por në pjesën e dytë megjithatë ka patur edhe dy shtylla me anë të Seminës dhe Beqirit, nuk ka patur gol tjetër.

Për trajnerin Agim Canaj e rëndësishme ishte marrja e tre pikëve dhe vazhdimësia e rezultateve pozitive ndërsa trajneri Nevil Dede I Tiranës në konferencën e shtypit të pasndeshjes ka akuzuar futbollistët e tij për mungesë karakteri dhe dëshire. Me fitoren e sotme, Vllaznia është ngjitur në vendin e dytë në renditje ndërkohë që trepikëshi me bardheblutë ka sjellë edhe një premio prej tre milionë lekësh nga ana e drejtuesve të klubit për skuadrën. Me këtë fitore kuqeblutë bëhen gati me një motiv tjetër në pragndeshjen e së shtunës me Lushnjën ku duhet patjetër të marrin pikë sërish. Kjo ecuri ka kthyer besimin në kampin shkodran megjithatë tashmë pritet shumë më tepër prej saj sepse tifozët duan të tjera fitore.