OPINION NGA Mejdan ZHIVANI

 
Pas shumë kohësh mungesë në stadiume për arsye objektive, të shtunën pata rastin dhe fatin e mirë të ndjek në stadiumin “Qemal Stafa”, takimin Partizani-Vllaznia 0-1. Dy skuadra me traditë në futbollin shqiptar, por fillimi i sezonit ishte me kahe të kundërta për të dyja këto ekipe. Shkodranët e nisën keq me humbje, ndërsa të kuqtë kryeqytetas me fitore.

Pozitat e tyre nuk ishin të njëjta edhe në aspektin financiar. Kuqeblutë të mbështetur vetëm me financimet e bashkisë, ndërsa Partizani me një grup donatorësh të fuqishëm që vijnë nga pas, qofshin ata zyrtar apo edhe të “fshehur”. Por rruga e deritanishme, pra në javën e 9-të, tregoi se kjo Vllazni, me pak kujdes, larg euforisë së zakonshme për qytetin verior, dhe më racionale në lojë dhe më cinike në rezultate, mund të jetë pretendente. Por pretendente për çfarë?!…Sigurisht që qejfi na e ka të gjithëve të jetë për titull “kampion”, por kjo për momentin është e pamundur, të paktën parimisht. Të renditet në fund të kampionatit në një nga vendet që të çon në Kupat e Europës, mund të konsiderohet apo e barazvleshme me titullin “kampion”, duke patur parasysh një sërë faktorësh. Një buxhet modest për një Vllazni kampione është një ndër faktorët që është e vështirë të besosh hapa më të mëdhenj. Gjithashtu, duhet të kemi parasysh edhe faktin tjetër se 40 ditë para fillimit të kampionatit, kjo skuadër ishte e pa formuar mirë. Megjithatë, me një trajner korrekt dhe punëtor si Agim Canaj, me një drejtor sportiv të përkushtuar si Armir Grima, me një grup lojtarësh që të japin maksimumin në çdo ndeshje, por edhe me një mbështetje pak më të madhe financiare, gjërat mund të shkojnë akoma më mirë në kahun e duhur. Gjithsesi, paraqitja e kuqeblutë të shtunën, ndaj Partizanit, të jep shpresë se kjo skuadër mund të zhvillojë një sezon shumë të mirë dhe të na kënaqë të gjithëve. Ndoshta është momenti i duhur, që shkodranët t’i largohen pak spektaklit tradicional që e kanë në futboll dhe të mendojnë të jenë cinik dhe racional për të siguruar rezultatet, më pas vjen edhe spektakli. Kësaj Vllaznie nuk i mungon eksperienca ( pa qenë e nevojshme të përmend emra), por sigurisht nuk i mungon edhe talenti ( elementi i ri dhe me perspektivë). Prandaj një alternim i këtyre forcave, natyrisht duke i shtuar edhe përkushtimin maksimal, Vllaznia mund të jetë në fund të sezonit mund të jetë një prej ekipeve që do të shkojë në Kupat e Europës. Natyrisht që brenda radhëve të saj ka gjithnjë vend për përmirësime, por përkushtimi maksimal për profesionin që kanë zgjedhur këta njerëz, nga vetë ata, vendosmëria e tyrë për të bërë më të mirën në fushë, duke besuar gjithnjë në vetvete se mund të arrijnë synime, edhe kur duken të paarritshme, dhe me një mbështetje financiare në rritje, kjo Vllazni do të mund të gëzojë një Shkodër të tërë, apo edhe më gjerë në maj të 2014!….