Opinion nga BESNIK DIZDARI

Nga ngjarjet e ditëve të fundit në futbollin shqiptar, dy janë që më bëjnë përshtypje: njëra me kah të mirë dhe tjetra me kah jo të mirë.
Në të parën hyn rasti i trajnerit të Vllaznisë, Shpëtim Duro, të cilin nuk e shkarkuan, ndonëse “komentet” e “analizat” e pakëndshme ashtu siç nuk pushuan derisa e çuan trajner te Vllaznia muaj më parë, po aq nuk pushuan këto ditë për ta shkarkuar. Dhe më vjen mirë që nuk e shkarkuan, nëse kjo është e vërtetë. Mendoj se nuk duhej shkarkuar trajneri Duro, jo thjesht sepse ai është një trajner i mirë, por sepse me shkarkime trajnerësh tash e parë nuk rregullohen skuadrat. Nuk mund të bësh skuadër të mirë kur brenda 8 vjetëve ke ndërruar 16 trajnerë, siç ka bërë Vllaznia. Çka do të thotë mesatarisht 1 trajner të ndërruar në 6 muaj!
Në rastin e dytë, më vjen keq që u shkarkua trajneri i Flamurtarit, spanjolli Hulian Rubio, çka është e vërtetë absolute. Jo vetëm se edhe ai është një trajner i mirë, por mendoj se nuk duhej shkarkuar, ngaqë nuk jam i sigurt që skuadra e Vlorës tash për tash do mund të gjejë një më të mirë dhe se me kësi shkarkimesh tash e parë pra, nuk besoj se mund të rregullohen skuadrat. Kaq sa për hyrje. Të vijmë tash te synimi i shkrimit tonë, që është Vllaznia e Shkodrës. Kjo më bën të them qysh në fillim se trajneri Duro nuk duhej emëruar trajner i Vllaznisë qysh në çastin veror kur pranoi që, skuadra më e famshme për formim talentesh në futbollin shqiptar, të blinte 12 lojtarë mesatarë të klubeve të tjera. Rasti i Vllaznisë përbën shembullin më të mrekullueshëm të rrënimit të traditave të futbollit të klubeve në Shqipëri. Nuk kam mundësi dhe as dëshirë t’i hyj financës, për të komentuar se sa parà dha klubi i Shkodrës për të blerë 12 lojtarë mesatarë. Por, nëse ai kishte kryefortësinë për të blerë patjetër, them se gjëja më e mirë do të kishte qenë që klubi i Shkodrës të gjente financa për të blerë pesë talentet e vet që janë: Gilman Lika, Hamdi Salihi, Bekim Bala, Xhevahir Sukaj, Armando Vajushi!
Sikur të vepronte kështu, me këtë pesëshe të talentuar që është rritur dhe formuar prej skuadrave të Shkodrës, do të kishim një Vllazni jo vetëm mëtuese (pretendente) të dorës së parë për titullin Kampion të Shqipërisë, por nga ana tjetër do t’i jepnim Qytetit të Futbollit mësimin e madh: se talentet shkodrane nuk do të shterojnë dhe se Vllaznia sa do të ruante traditën e rritjes dhe shfrytëzimit të talenteve të saj, po aq do të bënte skuadër për së mbari.
Kësisoj, është krejt e papranueshme (edhe kjo nëse është e vërtetë) që prapë Vllaznia kërkoka të blejë lojtarë në tregun e janarit! E pra, kë do të blejë Vllaznia? Edhe tre lojtarë të tjerë mesatarë? Duhet ndalë! Tjetër punë nëse është e zonja të blejë atë që u tha: pesëshen e saj të talentuar Gilman Lika, Hamdi Salihi, Bekim Bala, Xhevahir Sukaj, Armando Vajushi. Shembulli i Vllaznisë së Shkodrës, që flak tej talentet e saj dhe blen lojtarë mesatarë të klubeve të tjerë të kampionatit të nivelit të ulët të Shqipërisë, flet qartë për krizën e futbollit të vogël të Shqipërisë së vogël, të klubeve të saj të vegjël.
Eshtë vërtet e papranueshme se si po ndodh që, sidomos në rubrikat televizive në Shqipëri, të sundojë asisoji, si asnjëherë në historinë e gazetarisë shqiptare, terminologjia shitblerëse e shteteve superfuqi të futbollit botëror për “merkato” gushti e janari, për miliona e pagesa gjoja astronomike, kur dihet që Shqipëria as ka ndërmend dhe as është e zonja të fitojë ndonjë Kupë të Europës a të Botës (Ishte fantastike vërtet kur këto ditë, në një studio televizive, Flamurtari i Vlorës u quajt “klub milioner”. E pra, nëse në Shqipëri paskemi një klub milioner, atëherë kemi hyrë vërtet në historinë e madhe. Sepse përderisa paskemi një klub milioner të financuar nga bashkia, kjo do të thotë se paskemi një bashki milionere! Temë për më vonë kjo, megjithatë).
Rrezikojmë kështu të harrojmë synimin kryesor të sportit dhe të futbollit, çka në Shqipërinë modeste është krejt tjetër: të vijë në rritje dhe t’ia arrijë që të shtunat apo të dielat e futbollit të saj po modest t’i shndërrojë deri diku në spektakle, dëfrim e çlodhje. Nuk po ia arrin. Madje nuk po ia arrin as nga pikëpamja e vlerave mesatare teknike të futbollit. Siç e kam thënë edhe diku tjetër, sot thuajse asnjë skuadër shqiptare nuk ka një fytyrë të qëndrueshme taktike. Madje kemi arritur deri aty saqë fjalën “taktikë” e kemi zëvendësuar me fjalën joshqipe “merkato”, që nuk e kuptoj se si është e mundur që ky snobizëm imitues shprehjeje, kujton se duke i thënë “merkato” e jo “treg”, i jep një rëndësi e peshë moderne kuptimit. Të gjithë e kemi vërejtur se po bëhen gati nja dy muaj që shumica e trajnerëve të skuadrave të gjithë mendimin e filozofisë së tyre tekniko-taktike e përmbledhin vetëm te një dyfjalësh: “merkato e janarit”. Kjo është si thirrja e përrallës për të hapë portat e arta të thesarit. Do të ishte punë me mend që edhe për hir të njinjishmënisë (identitetit) të skuadrave shqiptare të ndalohej “merkatoja e janarit”. Përveç të tjerave, do t’i shërbente edhe qëndrueshmërisë së tyre taktike.
Përjashto Skënderbeun e tre viteve të fundit, të gjitha skuadrat e tjera shqiptare ndryshohen stinë për stinë në mënyrën më të habitshme. Kësisoj, kur ti shet e blen pa kriter lojtarë të pambarim sa në tregun e gushtit e po aq në atë të janarit, kurrsesi nuk ia arrin të bësh punë të zgjuara taktike të një futbolli tërheqës. Sepse skuadrat me këtë paqëndrueshmëri të përbërjes, shumica janë një mozaik stilesh, tipash, portretesh, e pse jo, edhe mënyra sociale sjelljesh. Kurrë nuk e kishim menduar se klubet shqiptare sot do të bëheshin kaq poliglote, teksa në to flitet serbisht, kroatisht, frëngjisht, anglisht, shqip, dialekti gegë, ai toskë e ai kosovar, pa harruar zyrtaren shqiptare të ashtuquajtur “standarde”. Poliglote janë të gjithë klubet e Europës sot, vërtet, mirëpo Shqipëria, siç u tha më sipër, është tepër larg ambicieve e synimeve europiane.
Dihet ndërkaq, se nuk ka pasur një shkollë të tijën taktike futbolli modest shqiptar. E megjithatë, në vitet ’50 me Partizanin e Dinamon, të paktën u arrit te një taktikë e qëndrueshme. Në vitet ’60 sidomos 17 Nëntori i Myslym Allës, 0 gjithnjë brenda nivelit shqiptar, kishte një stil taktik të qartë. Mund t’i themi edhe mënyrë loje, kur kujtojmë qëndrueshmërinë taktike të një Vllaznie të Xhevdet Shaqirit në fillimin e viteve ’70, ku me vetëm 15 lojtarë ata luanin qartë e bukur me skemë taktike. Ndërkaq, Dinamoja po e viteve ’70 e katërshes Çeço-Zëri-Përnaska- Ballgjini, e pakta në tre vjet sundoi në një mënyrë si të mësuar përmendësh. Mandej erdhi Flamurtari i viteve ’80 i Leonidha Çurit. Nuk mund të harrohet deri në kulminacione me aromë Barcelone. Ndërkaq, Labinoti – kampion më 1984, që ndonëse me një 11- sh më modest se e pakta tri skuadra të tjera shqiptare, qe i pambërritshëm mu për qëndrueshmërinë taktike – vepër e trajnerit të saj të paharrueshëm Frederik Jorgaqi.
Po sot?
“Kur synon Europën dhe jo futbollin”…
Kështu mund të përgjigjesha.
Më 1972 me ndeshjen Besa e Kavajës – Hibernian e Skocisë 1-1, Shqipëria për bukur 6 vjet, deri më 1978, pat hequr dorë prej pjesëmarrjes së saj në Kupat e Europës për klubet. Një vit më vonë, e vendosur për t’u vetizoluar deri në skaj, Partia e Regjimit pa pikë mëshire shpalli se heq dorë edhe prej Kombëtares së Shqipërisë, e cila nuk mori pjesë në garat euro-botërore për plot 7 vjet, deri më 1980. Eshtë vërtet e çuditshme se si ka ndodhur që në këtë izolim të papamë, klubet shqiptare të prodhojnë futbollistë të shkëlqyer si dhe disa skuadra të cilat sot e kësaj dite kujtohen për nivelin e tyre të lartë. Të tilla ishin pra, Kampionia e Shqipërisë Dinamo 1973, Vllaznia 1974, sidomos Dinamo 1974, 1975, 1976 apo Skënderbeu 1977, e veçan Vllaznia 1978, e cila për historinë tonë mbas ndalimit të madh përfaqëson premierën e bujshme të rikthimit në Kupën e Europës me 2-0 ndaj Austria të Vjenës.
Dhe merreni me mend për një çast: çdo vit zhvillohej kampionati me stadiume të mbushura. E kjo deri diku edhe kuptohej, sepse në atë izolim të madh njerëzit nuk kishin ku të shkonin përveçse në stadium. Por ndeshjet në modestinë e tyre prapë ishin të paharrueshme, me ngjarje të një emocioni të fortë, me kthesa e zhvillime të pashlyeshme, mbi të gjitha me një garë shpesh dramatike. Kësisoj, është vërtet për t’u studiuar se si ka qenë e mundur që e kemi mbajtur afshin e futbollit të një cilësie aq të lartë për mundësitë tona pa synuar assesi pjesëmarrjen në Kupat e Europës!
Po sot? Si është e mundur që gati çdo javë në gazeta, televizione, komente, diskutime nuk ka bisedë tjetër, përveçse titulli që “e humbi apo e siguroi”, ndonëse ka edhe 13 javë kampionat? A vërtet qëllimi i një kampionati futbolli është vetëm titulli? Dhe ajo që është më kryesore, retorika tashmë e padurueshme që tingëllon e përjavshme: “Synon Europën, “i iku Europa”, “dështoi për Europën, “kërkon Europën”, “synon Ligën e Kampioneve” “don Ligën e Europës”! E pra, a nuk është bërë disi monotone dhe a nuk kemi dalë jashtë qëllimit publik, qytetar, kombëtar të kampionatit tonë të futbollit? Dhe mjerisht, gjithnjë e më pak po flitet se si mund të bëhet një skuadër e mirë që çdo javë të kënaqë futbolldashësit. Duke harruar kështu se pjesëmarrja e Shqipërisë në Kupat e Europës prej vitesh paraqet eliminime të rregullta qysh në turin e parë, thuajse pa shfaqur vlera të vërteta sportive.
E pra, si t’ia bëjmë që të formojmë skuadra të mira, të bukura, qoftë edhe në modestinë e tyre, që ta shndërrojnë të dielën e varfër futbollistike shqiptare të paktën në diçka më shumë se kaq?
Dhe është vërtet e rëndë, tejet e rëndë, kur ky denatyrim i traditës së bukur prek edhe Vllazninë e Shkodrës – epiqendër talentesh të futbollit shqiptar.
Kohë më parë, këtu në “Panorama Sport” u botua një deklaratë e klubit Vllaznia ndaj FSHF-së për mosthirrjen e talenteve shkodrane në ekipet kombëtare të moshave. Klubi Vllaznia protestonte me të drejtë, sepse ekipet e tij NËN 19 dhe NËN 17 brenda 10 viteve kishin fituar 6 tituj të kampionit dhe orë e çast janë në krye. Si shembull klubi rreshtonte emra të tillë të rinjsh si Hepaj, Nikshiqi, Ymeri, Kalaja, Borshi, Rama, Dyca, Çinari, Shkambi, Harlica, Kabuli, duke nënkuptuar madje se ka edhe të tjerë si këta. Mirëpo, sa prej këtyre kanë afruar te Vllaznia e sotme trajnerët e saj? Asnjë. Thjesht për shkakun se paratë qenkan vetëm për të blerë në gusht e janar lojtarë mesatarë të klubeve të tjerë, jashtë Shkodrës!
Kjo është filozofia e humbjes, e moszhvillimit, e zhdukjes së talenteve. Kështu ngjet kur synon artificialisht Europën dhe jo natyrshëm futbollin…
Nuk do të zgjatem më tej: do ta mbyll me një shembull joshqiptar. Eshtë fjala për një nga skuadrat e reja, më befasuese, më zbuluese të Europës: Shahtjor (Shahktar) i Donjecit të Ukrainës, 6 herë kampione në 7 vitet e fundit, madje fituese e Kupës UEFA, si dhe në rritje të vazhdueshme në Ligën e Kampioneve. Trajner i saj është rumuni i shquar, 67-vjeçari Mirçea Luçesku, pra një ballkanas. Ky njeri, i cili në karrierën e tij si trajner ka fituar 23 trofe, është trajner i Shahtjorit tash 8 vjet, qysh më 2004. I dimë investimet e mëdha të klubit ukrainas me të cilët ne nuk mund të krahasohemi assesi. Ajo që mund të mësojmë prej Shahtjorit është filozofia e trajnerit të tij Luçesku. Thotë rumuni i shquar:
“…Vendosëm të punojmë duke formuar lojtarë të rinj, të talentuar, për t’i edukuar dhe për t’i bërë futbollistë të plotë (të blejmë pak e të shesim pak). Sepse ka dy mënyra për të formuar një skuadër: me parà nëse nuk të premton koha, si dhe me të rinj. Parimet janë këto: edukim, kërkesë deri në rreptësi, disiplinë, përzgjedhje. Te kjo e fundit hyjnë karakteri, inteligjenca, përgjegjësia. Dihet, mund të veprosh siç veprojnë trajnerët e mëdhenj: të shpenzosh 100 milionë për të blerë 4- 5 futbollistë të fortë. Çka është mjaft e lehtë të bëhet. E vështira është të formosh lojtarët e rinj. Që do të thotë të marrësh të rinjtë, t’i rrisësh së bashku me skuadrën. Kjo është e gjitha”.
Ndërsa në Shqipëri sundon ndikimi i pashpjegueshëm i trajnerëve, të cilët sapo vijnë, kërkojnë blerjen e lojtarëve mesatarë për të bërë “mrekullinë shqiptare” që nuk po e shohim kurrnjiherë. A nuk e vëreni se skuadra shkodrane luan sot futbollin më pak tërheqës, më pak taktik, më pak elegant në historinë e vet?
E pra, “mrekullia shqiptare”, nëse vërtet mund të quhet kështu e hiperbolizuar, duhej të ndodhte nëse do t’ia arrije të bëje skuadër duke formuar talentet e mbjella në farishten e klubit tënd. Kështu ka vepruar përherë Vllaznia e Shkodrës – epiqendra e talenteve të futbollit.
Kështu ka vepruar përherë Vllaznia e Shkodrës e Ibrahim Dizdarit, Ernest Halepianit, Isuf Pelingut, Rifat Rusit, Xhelal Jukes, Xhevdet Shaqirit, Ramazan Ragamit, Medin Zhegës, Astrit Hafizit, Hysen Dedjes, të cilët meritojnë sot e kësaj dite medaljen e madhe; sepse kanë bërë skuadër të bukur pa treg gushti e pa “merkato janari”, por me talente të krijuara në shkollën shkodrane.
“Vllaznia” datuar 2012, skuadra që zë vetëm vendin e 8-të në kampionat, edhe pse shpenzoi fort parà në “merkaton” (tregun) e gushtit, është tash për tash një shembull i shkëlqyeshëm i rrënimit të traditës.