Ndeshja dramatike ka qenë ajo që sapo përfundoi në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Kamza Basket në basketboll për meshkuj. Basketbollistëve të dy skuadrave u janë dashur të luajnë edhe dy shtesa nga 5 minuta për të përcaktuar fituesin ngaqë ndeshja ka përfunduar në dy raste në barazim. Në fund, kanë triumfuar me vetëm 1 pikë basketbollistët e Kamza Basket që kanë fituar 93-92. Por duhet theksuar se për të përcaktuar fituesin ka ndikuar jo pak edhe dyshja e gjyqtarëve nga Tirana e cila i ka favorizuar jo pak kryeqytetasit dhe ka penalizuar shkodranët.


Ndeshja ka nisur më mirë për Vllazninë që e fitoi periodën e parë 22-18. Në të dytën, miqtë të drejtuar nga Afrim Bilali fitojnë 22-15 dhe kalojnë rezultatin në avantazhin e tyre. Pushimi i ndeshjes dhe detyrat e dhëna nga trajneri Bledar Gjeçaj, kanë sjellë tjetër lojë për vendasit. Të drejtuar nga Ervin Berdica që është mjaft i saktë me gjuajtjet e tij për tre pikë, basketbollistët e Vllaznisë e fitojnë periodën e tretë 22-16. Loja merr rrjedhë tjetër, edhe në të katërtën Vllaznia mundohet të kontrollojë avantazhin por ndonëse ka topin në dorë në sekondat e fundit të kohës së rregullt, ajo nuk arrin të shënojë dhe ndeshja mbyllet 75-75. Duhen edhe 5 minuta shtesë për të përcaktuar fituesin. Në pankinën shkodrane ka mjaft reagime për gjykimin, ndonëse në pallatin e sportit është i pranishëm edhe sekretari i FSHB-së Korab Llazani. Dalin njëra pas tjetrit me personale Taraboshi e Huti dhe kjo ndikon jo pak në lojë. Edhe shtesa e parë mbyllet në barazim 82-82 dhe duhen edhe 5 minuta të tjerë shtesë. Në këta të fundit, ka sërish kontestime për gjyqtarët por në fund Kamza Basket fiton 93-92. Trajneri Bledar Gjeçaj shprehet mjaft i kënaqur për lojën e ekipit të tij por ka mjaft rezerva për gjykimin që sipas tij përcaktoi rezultatin e ndeshjes.
www.shkodrasport.com

 

Nga ndeshja e sotme

Vllaznia- Kamza Basket