Sfida e fundit mes Teutës dhe Erzenit uli siparin e ndeshjeve të kthimit të 1/16 të Kupës së Shqipërisë. Djemtë e detit siguruan kështu edhe biletën e fundit për në çerekfinalen e Kupës, pasi triumfuan 1-0 ndaj shijkasve.

Menjëherë pas këtij dueli skuadrat duhet të përveshin “mëngët” për të zbritur në fushën e lojës për llogaritë e javës së 20-të të “Abissnet Superiore”.

Kjo javë do të luhet në dy ditë, të hënë dhe të martë. Data 6 shkurt ka rezervuar 2 përballje mjaft interesante. Egnatia pret në shtëpi Tiranën ora 13:00, në një sfidë që premton të jetë e luftuar. Rrogozhinasit do të synojnë rikthimin te fitorja në kampionat, pasi mungon prej 4 javësh. Po gjithashtu edhe kampionët kërkojnë të reagojnë për humbjen në Kukës.

Në orën 16:00 është radha e skuadrës tjetër të kryeqytetit për të zbritur në fushën e lojës. Partizani pret Laçin, një tjetër duel interesant, ku demat kanë detyrim fitoren, ndërsa kurbinasit duan vazhdimësinë.

Një ditë më pas do të luhen 3 sfida në dy orare të ndryshme. Erzeni ka udhëtuar në Kamëz për tu përballur me Kastriotin. Kjo sfidë do të nis në orën 13:00.

Në orën 16.00 do të luhet Teuta-Bylis. Durrsakët do të synojnë fitoren në “Niko Dovana”, pasi tashmë ndodhen në zonën e ftohtë. Nga krahu tjetër ballshiotët do të tentojnë fitoren e 3-të rresht me Shensoin në stol.

Nderkohe supersfida e kësaj jave do të konsiderohet dueli mes Vllaznisë dhe Kukësit. Kjo përballje ishte planifikuar të luhej në “Loro Boriçi” duke nisur nga ora 16:00, por mesohet se ajo eshte spostuar per ne oren 19.00 te dites se marte. Shkodranët janë të dënuar për fitoren, por gjejnë një skuadër të “ringjallur” me Rrahman Hallaçin në stol.

ABISSNET SUPERIORE – JAVA 20


E HËNË 06.02.2023

13:00 Egnatia-Tirana

16:00 Partizani-Laçi


E MARTË 07.02.2023

13:00 Kastrioti-Erzeni

16:00 Teuta-Bylis

16:00 Vllaznia-Kukësi