Merkato tashmë do të hyjë në fazën e saj të zjarrtë dhe në një periudhë ku shumë skuadra kanë nisur përgatitjet për Kupat e Europës, po mendohet edhe për përforcimin e ekipit për sezonin në vijim. Në një situatë të tillë është edhe Vllaznia.

Kështu, “Shkodra Sport” ka mësuar se skuadra kuqeblu është shumë pranë një përforcimi dhe bëhet fjalë për Eslit Salën. Mesfushori që prej katër sezonesh është aktivizuar në Maltë tek skuadra e Valletta, tashmë është shumë pranë Vllaznisë.

23-vjeçari është një futbollist shumë interesant për përforcimin e ekipit kuqeblu, pasi luan në disa pozicione në mbrojtje dhe mesfushë. Në sezonet e luajtura në Maltë, Sala ka qenë ndër më të spikaturit tek Valletta, ku në pozicionin e qendërmbrojtësit, mbrojtësit të krahut të djathtë apo edhe atë të mesfushorit para mbrojtjes, ka shënuar edhe një gol për skuadrën e tij në 21-ndeshje të luajtura këtë edicion.

Tashmë, për futbollistin e formuar tek Akademia AAS në Shkodër, Vllaznia do të jetë ekipi i ri i tij, me Salën që ndodhet prej ditësh në qytetin verior dhe shumë shpejt pritet të firmosë për kuqeblutë, pasi gjithçka është shumë afër mbylljes me sukses të marrëveshjes mes palëve.
Maringlen ZHIVANI