Skuadra e Vllaznisë në volejboll për femra ka humbur në sfidën e radhës të kampionatit. Vajzat kuqeblu janë mundur teksa përballë kanë patur ekipin e Universitetit “Marin Barleti. Miqtë nga kryeqyteti kanë dalë të fituar nga sfida e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi” teksa kanë mundur Vllazninë me rezultatin e përgjitshëm 0-3. Me përjashtim të rivalitetit në setin e fundit, pjesa tjetër e lojës ka folur për skuadren mike e cila ka dominuar thuajse të gjithë takimin.

Fare thjeshtë UMB e nis me avantazhin duelin në Shkodër. Vllaznia e nis lojën dobët dhe nuk ka përqëndrimin e duhur. Këtu përfitojnë vajzat e Tartarit të cilat janë të sakta dhe fitojnë setin e parë me 14 pikë diferencë, në shifrat 11-25 duke marrë kështu kryesimin e lojës. Në setin e dytë Vllaznia mundohet të ndryshojë diçka por sërish shkodranet nuk munden të përmirësojnë dukshëm. Nga ana tjetër UMB luan sërish më mirë dhe udhëheq setin e dytë teksa arrin ta fitojë 20-25 dhe të shkojë në avantazhin 0-2. Këtu për Vllazninë gjithçka duket e vështirë dhe thuajse e pamundur. Megjithatë seti i tretë është më i bukuri. Aty ka rivalitet dhe emocion. Skuadrat janë në garë të fortë deri në pikën e fundit. Është Vllaznia që kërkon të zgjohet dhe ta kthejë totalisht rrjedhën e lojës. Vajzat kuqeblu luajnë mirë në setin e tretë por sërish hasin në pengesën e UMB e cila edhe pse nuk ka freskinë e mëparshme arrin të përballojë vajzat e reja shkodrane. Në fund është eksperienca e volejbollisteve të UMB që bën diferencën. Vllaznia humbet 23-25 setin e tretë dhe krejt ndeshjen 0-3. Në këtë sfidë kanë munguar uniformat blu të policisë. Organizatorët e ndeshjes shpjeguan se duke qenë se takimet kanë qenë të ngjeshura në “Qazim Dervishi” ka qenë e pamundur që Policia të jetë e pranishme në të gjitha këto sfida sepse njoftmi në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Shkodër duhet bërë dy më përpara zhvillimit të një ndeshjeje. Shpresojmë që të mos ndodhë kështu të enjten në takimin e meshkujve mes Vllaznisë e Teutës sepse mund të ndodhë që të jetë një duel i tencionuar duke qenë se janë ekipe rivale si dhe pritet që edhe numri i tifozëve të jetë i konsiderueshëm, ndaj është e domosdoshme prania e policisë për të ruajtur qetësinë e për të shmangur ndonjë konflikt të mundshëm që shpresojmë të mos ndodhë si me apo pa polici.

Vllaznia – Universiteti “Marin Barleti” 0-3

Setet: 1) 11-25, 2) 20 – 25, 3) 23 – 25

Vllaznia: Gjelaj, Molla, Petëza, Rranza, Vucaj, Vistaraj Tr: Sadije Goga.(u aktivizuan: Shestani, Koçeku )

UMB Volej: Vokrri, Kurti, Gega, Memia, Xhameta, Kukeli Tr: Kreshnik Tartari. (u aktivizuan: Fagu, Germenji, Shahu, Boçi)