Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Volejbollistja shkodrane Paola Gjyshja është rikthyer te Vllaznia, duke qenë një prej përforcimeve të rëndësishme të skuadrës kuqeblu për sezonin e ri. Gjyshja është një produkt i volejbollit shkodran dhe ka qenë pjesë e Vllaznisë në vitet e para të karrierës së saj, përpara se të vijonte aventurën me skuadra të tjera të Superligës.
19-vjeçarja luan në pozicionin e qendres (middle-blocker) dhe konsiderohet një prej talenteve më premtuese të volejbollit shqiptar. Ajo ka një gjatësi prej 1.87 metrash dhe prej vitesh është pjesë e ekipeve kombëtare të Shqipërisë, ndërsa në vitin 2023 u vlerësua edhe si një prej talenteve të vitit nga “Shkodra Sport”.
Pas largimit nga Vllaznia, Gjyshja ka luajtur për Dinamon, ndërsa sezonin e fundit ishte pjesë e Skënderbeut, ku fitoi edhe eksperiencë të rëndësishme në nivelet e larta të volejbollit shqiptar. Tashmë ajo rikthehet në Shkodër për të veshur sërish fanellën kuqeblu dhe për t’i dhënë skuadrës cilësi dhe eksperiencë në repartin e qendrave.
Rikthimi i saj është një lajm i rëndësishëm për Vllazninë, e cila synon të ndërtojë një ekip konkurrues për sezonin e ri. Gjyshja e njeh mirë ambientin shkodran dhe ka qenë më herët një prej lojtareve të spikatura të skuadrës, duke lënë gjurmë që në moshat e reja
Për Vllazninë, rikthimi i një lojtareje të formuar në Shkodër dhe me eksperiencë në Superligë është një investim i rëndësishëm, ndërsa për Paola Gjyshen bëhet fjalë për rikthimin në klubin ku hodhi hapat e parë dhe ku u evidentua si një prej talenteve të volejbollit shkodran.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


