Volejbollisti shkodran Mario Lugaj pas një sezoni në Kosovë rikthehet të luajë sërish në kampionatin shqiptar, por jo te Vllaznia. Shtatëlarti 21 vjeçar bëhet e ditur se ka firmosur me skuadrën e Skënderbeut dhe do të jetë pjesë e saj për sezonin 2026-2027.
Korçarët mesa duket kanë ndër mend të ndërtojnë një ekip pretendent dhe përpos përforcimit me lojtarë të huaj, kanë hedhur sytë edhe nga elementi vendas. Për këtë arsye i kanë bërë ofertë Lugajt dhe kanë arritur akordin me të duke hedhur edhe firmat në kontratë.
Lojtari i cili luan në pozicionin “Outside Hitter” gjatë sezonit të kaluar ka qenë pjesë e ekipit Drita të Gjilanit dhe pas përfundimit të kontratës me të, tashmë ka vendosur të luajë për Skënderbeun.
Ndoshta shumëkush e ka pritur te Vllaznia, ekipi ku është formuar si volejbollist, por duket se në këtë mes ka vendosur ana financiare. Kuqeblutë në fakt edhe gjatë sezonit të kaluar shpenzuan jo pak për të marrë disa lojtarë të huaj si përforcim, por gjithsesi në fund dështuan.
Mbase një investim tek Mario Lugaj apo dhe ndonjë shkodran tjetër që luan në ekipet e tjera do të kishte qenë më mirë, por kjo është çështje e drejtuesve të shoqatës së Volejbollit Vllaznia.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


