Ende pa u ndezur “motorët” e merkatos verore, shumë lojtar në arenën europiane e më gjerë kanë filluar të gjejnë “strehë” për sezonin e ri. Sadio Mane bën pjesë në këtë panoramë, si rezultat i rendimentit të dobët në “Allianz Arena”.

Ai u prit me ovacione nga mbështetësit e kampionëve të Bundelsigës në ditën e prezantimit, por e gjithë ajo festë ka mbetur mirazh, krahasuar me atë çka ai ka dhënë në fushën e blertë.

Jo vetëm që nuk e ka ngushtuar hendekun e lënë prej largimit të Robert Levandovskit, gjithashtu ka ndezur shkëndija tensioni në grup, rasti më flagrant erdhi nga dueli i parë në çerekfinalet e Champions-it karshi Sitit, konkretisht grushti në fytyrën e Sanesë.

INTERESIM I “MBRETËRORËVE” – Portali spanjollë “Fichajes” ka befasuar bordin e Bajernit, aty ku citohej se Real Madridi e ka vendosur në “shënjestër” nënshkrimin me Sadio Manenë.

Kampionët në fuqi të Ligës së Kampionëve e kanë “të freskët” zhvendosjen e goleadorit Karim Benzema nga “Santiago Bernabeu” dhe gjetja e alternativës së duhur është kthyer në sfidë më vete.

Herri Kejn qëndroi në majë të dëshirave, megjithatë burimi në fjalë nuk e hedh në plan të dytë mundësinë që 31-vjeçarit senegalez të djersijë fanellën e Realit në sezonin e ri.

Verën e shkuar gjigantët nga Mynihu shpenzuan 32 milionë euro në arkat e Liverpulit për të siguruar futbollistin me numër 10 në kampin e përfaqësueses senegaleze.

Nuk përjashtohet hipoteza ku personazhi në fjalë të mbulojë pozitën e Asensios nga krahët, marrë në konsideratë shpejtësinë e afrikanit. “Bild” jo më larg se dy javë më parë theksonte se bordi i rekordmenëve gjermanë ishin të gatshëm ta linin të lirë Manenë, nëse i adresohej ofertë ndërmjet kuotës 30-40 milionë euro.

Sigurimi i të ardhurave ka marrë nocion jetik te 33 herë fituesit e Bundesligës, pasi do t’i jepte dorë në shtimin e buxhetit në lidhje me operacionin “pyka ideale”, që nuk po gjen qetësi pas “zhdukjes” së Levës.