Prej më tepërse 20 vitesh është I lidhur ngushtë me Adën. Ka luajtur futboll me të, më pas është një nga themeluesit e saj ndërkohë që në pak momente ka provuar edhe rolin e trajnerit (ka drejtuar këtë skuadër kur ajo pat eliminuar për kupë Dinamon në vitin 2004), ndërkohë që prej disa vitesh është edhe në rolin e bashkëpresidentit të këtij klubi bashkë me mikun e tij Lazër Matija. Bëhet fjalë për Alfred Pjetrin, njeriu që e la lidhur jetën e tij ngushtë deri më tani me këtë ekip dhe me këtë emër. Ai ka vuajtur jo pak gjatë këtij sezoni me vetë problematikën që pati Ada dhe oshilacionet e shumta të saj. Megjithatë fitorja në Kamëz në ndeshjen e fundit ka kthyer besimin tek të gjithë. Edhe tek vetë presidenti Pjetri që e thotë këtë edhe për “Shkodra Sport” kur shprehet: “Në fakt ne nuk duhej të ishim gëzuar kaq shumë për fitoren me Kamzën sepse ajo nuk na ka rregulluar shumë gjëra në renditje por u gëzuam për nga mënyra si po shkonin gjërat. Kishim shumë ndeshje që ndonëse luanim mirë, nuk arrinim të merrnim pikët e duhura dhe jo më kot ndodheshim në vendet e fundit të tabelës së renditjes. Por gjërat u rregulluan disi me këtë fitoren ndaj Kamzës dhe mbase do punojmë disi më të qetë për të ardhmen”. Ada ka kaluar jo pak probleme këtë sezon. Ajo ndërmori një inisiativë shumë interesante në fillim të tij duke ofruar lojtarë të rinj dhe duke firmosur kontrata të gjatë në mënyrë që ky ekip të jetonte disi më gjatë dhe të mos shpërbëhej siç ka ndodhur sezone më parë. Kjo mënyrë pune kishte edhe rriskun Brenda sepse me elementin e ri do ishte e vështirë të përballohej kampionati. Presidenti Pjetri megjithatë nuk ndjehet pishman për këtë mënyrë që kanë zgjedhur për të ndërtuar skuadrën. “Duke parë se çdo sezon na largoheshin lojtarë, madje një formacion I tërë, këtë herë vendosëm të punojmë ndryshe. Morëm futbollistë të rinj dhe firmosëm me ta kontrata afatgjata. Kjo mënyrë ndoshta ishte e parakohshme sepse futbollistët nuk kishin përvojën e duhur. Përpos kësaj, ata morën një goditje të madhe që në ndeshjen e parë të kampionatit me Partizanin kur gjyqtari favorizoi dukshëm këtë skuadër. Pas kësaj ndeshje,  Ada e pati të vështirë të marrë veten. Trajneri Nikaj do jepte pastaj dorëheqjen  ndërkohë që erdhi trajneri Kulli I cili po bën maksimumin e tij për këtë skuadër por kuptohet që edhe për të vështirësitë ishin të mëdha. E rëndësishme është që gjërat të vijnë duke u rregulluar”-ka thënë drejtuesit I klubit velipojak. Pjetri ndërkohë ka të thotë diçka edhe për drejtuesit e Vllaznisë me të cilët kohët e fundit nuk ka patur një bashkëpunim të mirë e për këtë thotë: “Na u premtuan se do vinin lojtarë të rinj nga Vllaznia por në mënyrë të papritur ata u dërguan tek Partizani, Besëlidhja dhe skuadra të tjera. Nuk e di se çfarë ndodhi por drejtuesit e Vllaznisë duhet ta kenë të qartë se më mirë se të bashkëpunojnë me Adën, nuk mund të bashkëpunojnë me asnjë klub tjetër inferior. Kam dëgjuar se do krijohet një ekip tjetër në Shkodër që do marrë pjesë në kategorinë  e tretë. Nuk e di cili futbollist I Vllaznisë do të shkojë për të luajtur atje duke patur Adën në kategorinë e parë”. Në fund presidenti Pjetri flet edhe për merkaton, duke thënë se do bëhen përpjekjet maksimale për të gjetur 2-3 lojtarë me përvojë për ta forcuar më shumë skuadrën në fazën e dytë dhe për të mos e vënë në dyshim qëndrimin në kategorinë e parë.
Gjergj KOLA