Te Vllaznia, këto javë i janë dedikuar kryesisht çështjes së futbollistëve që kanë qëndruar ose jo te kuqeblutë për sezonin e ardhshëm. Largimet deri më tani kanë qenë të shumta, pasi bëhet fjalë për plot 10-futbollistë dhe aq më tepër që janë lojtarë formacioni.
Megjithatë, mësohet se tashmë në klub kanë mbaruar punë me “spastrimet”. Në fakt, ishte më se e pritshme që një sezon i dobët si ky i fundit do të sillte ndryshime drastike te kuqeblutë.
Tashmë, kur është krijuar një panoramë e qartë e atyre që do të qëndrojnë nga edicioni i kaluar, klubi ka vendosur se ku do të ndërhyjë në merkato, me emrat që sigurisht kanë nisur të lakohen prej ditësh. Pa harruar këtu, edhe tre firmat e para që ka bërë Vllaznia me Ildi Grudën, Eslit Salën dhe Darko Dodev.
Gjasat janë që kryesisht futbollistët në moshë të re të mbahen në ekip, teksa pjesa tjetër të cilët janë larguar dhe nuk bëjnë më pjesë në planet e skuadrës, kanë pasur edhe paga shumë të larta, me drejtuesit e ekipit dhe presidentin Alban Xhaferi që kërkojnë të çlirohen edhe nga një barrë e madhe financiare.
Megjithatë, nëse ka diçka “ngushëlluese” në këtë mes është fakti që klubi i Vllaznisë do të marrë pjesë në Europë, pjesëmarrje kjo që është ndër mundësitë e pakta për të futur të ardhura në arkën e tyre. Për tri sezone, klubi nuk është kursyer për të afruar futbollistë me peshë dhe të mirë-paguar, duke bërë në këtë mënyrë edhe një “gropë” në aspektin financiar.
Megjithatë, duke parë humbjet ekonomike, ndikimi në shpenzime pritet të reflektohet këtë sezon. Në Shkodër po mendojnë një skuadër pa emra të bujshëm dhe me paga jo shumë të larta, pasi i druhen një tjetër viti të vështirë ekonomik, duke marrë në konsideratë faktin se nga shitja e futbollistëve nuk kanë pretendime të mëdha.
Prandaj, edhe direktivat që kanë dhënë drejtuesit dhe presidenti Alban Xhaferi për stafin që do të merret me merkaton, janë që të mos synohen futbollistë që kanë shpenzime të mëdha, por të talentuar dhe që mund t’i përshtaten projektit të Vllaznisë këtë sezon. Gjithsesi, mbetet për t’u parë në vijim se si do të vijojë situata në Shkodër me afrimin e ndonjë futbollisti tjetër.
Maringlen ZHIVANI