Në barazim 1-1 është mbyllur ndeshja e sotme në mes ekipeve të Lushnjës dhe Vllaznisë e vlefshme për javën e katërt të Superligës shqiptare. Ndeshja është luajtur në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës dhe është ndjekur nga një numër i madh tifozësh. Kuqeblutë kanë arritur të kalojnë të parët në epërsi, që në minutën e 13-të me mesfushorin Tafili, duke e rritur më shumë ngrakesën psikologjike dhe përgjegjësinë te lushnjarët. Këta të fundit, sidoqoftë, nuk e humbin toruan. Mbështetja e tifozëve u jep krahë dhe forca reaguese është në shkallën maksimale. Aq sa vjen minuta e 23-të, kur goleadori Canka do të barazonte shifrat. Rikthehet ekuilibri rezultativ në këtë sfidë, që është mjaft e bukur dhe luhet hapur nga të dyja palët deri në fund.
Sulmet dhe kundërsulmet nuk rreshtin sa në njërën portë, aq edhe në tjetrën. Trajnerët i luajnë të gjitha kartat për ta fituar ndeshjen, me Banon që në gjysmëorën e fundit të lojës “riformaton” repartin e sulmit, duke e përforcuar atë edhe me Fatakin. Nuk zhbilancohet aspak prapavija shkodrane, që është një “mur” i pakalueshëm për vendësit. Mesfusha shkodrane arrin të filtrojë e amortizojë manovrën ofensive të skuadrës së Banos, në njërin drejtim, ndërsa ky repart është një mbështetje edhe për kundërsulmin e shpejtë të Vllaznisë. Dyluftimet zhvillohen më së shumti në mesfushë, cka e bën të pamundur golin e dytë dhe të fitores për secilën skuadër. Natyrisht, Vllaznia tregohet më shumë e kujdesshme në detyrat mbrojtëse, sepse barazimi i shkon më shumë për shtat, ndërsa lagunarët kuptojnë se jo gjithmonë mund ta jenë fatlumë në fushën e tyre.Megjithatë shkodranët kanë shënuar edhe golin e avantazhit në ’82 me anë të Krujës por nuk është i këtij mendimi gjyqtari Jemini që e mohon atë. Ai është i mendimit se topi është prekur më parë me dorë nga Bushiç në momentin e pasimit drejt Krujës. Por jo vetëm ky rast. Shkodranët kanë kontestuar edhe raste të tjera por asgjë nuk ka ndryshuar, barazim 1-1. Një barazim që nuk ka kënaqur shumë shkodranët që gjithsesi për momentin pas këtij barazimi ndodhen në vendin e parë në renditje. Të paktën për 24 orë.
www.shkodrasport.com