Volejbolli i femrave do të rikthehet sot për herë të parë për vitin 2022, sa i takon ndeshjeve të kampionatit, i cili është edhe aktiviteti më i rëndësishëm kombëtar. Kështu, sot do të luhen dy takime të vlefshme për javën e 8-të të kampionatit kombëtar të femrave.

Skuadra e Vllaznisë në volejboll për femra do të luajë sot një ndeshje mjaft të vështirë ndaj Barleti Volley. Nën urdhrat dhe drejtimin e trajnerit Tafa, ekipi ka punuar intensivisht gjatë këtyre ditëve në seancat stërvitore.

Gjendja e ekipi duket e mirë, teksa ka besim se sot do të arrihet një rezultat pozitiv. Skuadra e Vllaznisë në volejboll për femra, ndodhet në vendin e katërt me 14 pikë, teksa ndeshjen e fundit në kampionat, ato u mundën nga Tirana në Shkodër me shifrat 0-3 dhe kërkojnë me patjetër kthesën e menjëhershme.

Ndeshja Barleti Volley-Vllaznia do të luhet sot në “Feti Borova”, duke nisur nga ora 16:00.
Maringlen ZHIVANI