Vllaznia do të vazhdojë përgatitjet në Shkodër për ndeshjen e parë me Universitatea Kraiovën, e vlefshme për turin e dytë të Conference League. Kuqeblutë shikohen të plotë për duelin e javës së ardhshme me rumunët, takim i cili do të luhet të enjten në orën 21:00, në stadiumin “Loro Boriçi”.

Nisur nga paraqitja e mirë në ndeshjet miqësore, forma e grupit, por edhe kontigjenti që ka, nuk priten lëvizje të mëdha në formacionin që trajneri Josa do të hedhë në fushë ndaj Kraiovës.

Stafi teknik, me punën që ka kryer gjatë fazës përgatitore në Austri, por edhe për duelin me rumunët, po mundohet të konsolidojë një formacion tip, i cili pak a shumë do të bazohet te fytyra, që ekipi do të tregojë më 21-korrik në “Loro Boriçi”.

Nëse përbërja do të jetë e njëjtë si në miqësoret e shkuara në Austri, ku nuk përjashtohet edhe ndonjë modifikim i vogël, gjasat janë që Vllaznia ndaj Kraiovës, të jetë sulmuese.

Kështu, në portë do të jetë Zogoviç. Më pas, për të vijuar me kapitenin Gurishta, Juriç, Bulatoviç dhe Hakajn. Përpara mbrojtjes do të jenë dyshja Boshnjaku dhe Jonuzi. Ndërkohë që, në mbështetje të Aralicës në krye të sulmit, pritet të jenë Hoxhaj, Vulaj dhe Latifi.

Një mundësi aktivizimi është edhe mesfushori Elvedin Heriç, në vendin e njërit prej Hoxhajt ose Latifit, për të kaluar më pas me skemën 4-3-3. Megjithatë, kjo duhet parë në vazhdimësi në seancat stërvitore të shkodranëve.

Vllaznia nuk e ka luksin të luajë të enjten e ardhshme për dy rezultate, teksa shkodranëve në ndeshjen e parë ndaj Kraiovës, i bën punë vetëm fitorja.
Maringlen ZHIVANI