Java e 30-të e Superiores do e gjejë Vllazninë në ndeshjen më të ndjerë dhe më të fortë të kampionatit, pikërisht ajo kundër Tiranës. Klasikja do marrë formë ditën e shtunë në orën 18:00, në stadiumin ‘Loro Boriçi’ të Shkodrës.

Një ndeshje që i gjen skuadrat në humore të ndryshme, ku Tirana po kryeson bindshëm kampionatin e ndërsa kuqeblutë kanë një formë plot luhatje.

Por gjithsesi kjo nuk ia zbeh aspak vlerat një ndeshje të tillë, ku tifozët shkodranë me patjetër duan që të fitojnë. Kjo për të theksuar edhe superioritetin ndaj kundërshtarit të përjetshëm, ku këtë sezon duelet kanë folur në favor të Vllaznisë. Në 3 fazat e para shkodranët nuk njohin humbje ndaj kryeqytetasve.

Ku në dy sfidat e zhvilluara në Tiranë, Vllaznia ka fituar në fazën e parë në shifrat 1-2, po ashtu një barazim 0-0 në fazën e dytë të Superiores.

Dhe po ashtu fitorja e fundit në Shkodër në shifrat 1-0 sërish në favor të Vllaznisë. Ndërsa tek Tirana në duelet e këtij sezoni kundër Vllaznisë mund të krenohen me triumfin në Superkupës.

Kjo pasi bardheblutë do fitonin në çastet e fundit të ndeshjes me shifrat 3-2 ndaj kuqebluve, me ndeshjen që u luajt në ‘Air Albania’.

Tashmë pritet edhe akti i fundit këtë edicion mes dy skuadrave, duke mos përjashtuar edhe një finale të mundshme të kupës. Ku fillimisht Vllaznia duhet të kalojë Egnatian në gjysmëfinale e në krahun tjetër Tirana duhet të triumfojë ndaj Teutës.
Endri ÇINARI