Gati gjysma e ekipit të Vllaznisë pritet të mungojë në ndeshjen e saj të rradhës, atë që do të luhet të dielën në Korçë ndaj Skënderbeut vendas. 5 nga 11 titullarët e ndeshjeve të fundit, mendohet të mos jenë në dispozicion të trajnerit Thomas Brdariç që sigurisht nuk do ta ketë aq të lehtë për t’i zëvendësuar.
Tre prej këtyre lojtarëve është e sigurtë që nuk do jenë në fushë ndaj Skënderbeut sepse janë të pezulluar me kartona dhe bëhet fjalë për mbrojtësit Imami e Isaevski si dhe sulmuesin Imeri. Dy futbollistë të tjerë ndërkohë kanë dëmtime dhe kishte shpresa se mund të rikuperoheshin deri të dielën, por kjo duket e vështirë të ndodhë.
Për mesfushorin Herald Marku duket e sigurtë që nuk do të luajë ngaqë ende nuk ka nisur stërvitjen me ekipin si rrjedhojë e tërheqjes muskulare që ka pësuar në ndeshjen e para dy javëve me Laçin. Nga ana tjetër, mbrojtësi Mevlan Adili po bën çmos të kalojë dëmtimin që ka, por duket se edhe ai nuk do ta ketë të mundur të luajë të dielën.
Në këto rrethana, stafit teknik të Vllaznisë i duhet të bëjë planet pa gjithë këto lojtarë. Problemi më i madh duket se do të jetë ndërtimi i mbrojtjes ku me tre mungesa të rëndësishme, ky repart duhet ndërtuar nga fillimi. Megjithatë trajneri Brdariç duket i vendosur për të marrë trepikëshin e rradhës në këtë ndeshje, pavarësisht faktit se kush do të luajë në fushë.
Për ekipin shkodran kjo sfidë është shumë e rëndësishme sepse i duhet të marrë trepikëshin për të ruajtur distancën me ndjekësit të cilët në fakt, po presin rrëshqitjen e tij. Vllaznia ka bërë shumë mirë deri më tani dhe kryeson me meritë renditjen, prandaj dhe ecuria e saj duhet të vazhdojë të jetë e tillë edhe në ndeshjet e ardhshme./SHKODRA-SPORT.COM/