Vllaznia e basketbollit të meshkujve ka nisur shumë herët punën për sezonin e ri dhe kjo padyshim që është shumë pozitive. Drejtuesit e saj duan të ndërtojnë një skuadër ndryshe dhe për këtë arsye, kanë nisur menjëherë të hedhin piketat për një Vllazni shumë më të fortë.
Pas hapit të parë që ato kanë bërë, atë të konfirmimit të trajnerit Nikolai Gospodinov në krye të ekipit, është hedhur edhe një tjetër hap i rëndësishëm, Atë të plotësimit të skuadrës me lojtarët e duhur. Dhe gjëja e parë që presidenti Xhaferi ka bërë është ftesa për lojtarët shkodranë që luajnë me ekipet e tjera.
Dy prej tyre, pikërisht Robert Shestani dhe Herion Faslija, janë të parët që i janë përgjigjur pozitivisht kësaj ftese dhe prej ditësh kanë nisur stërvitjen me ekipin. Me ta ende nuk është gjetur ende akordi financiar që do të çojë më pas në hedhjen e firmave në kontratë, por ky duket se do të jetë një proces që do të mbyllet në ditët në vijim.
Përveç këtyre dy lojtarëve, një ftesë e tillë pritet t’i bëhet edhe Daniel Lekndreajt, shkodranit tjetër i cili në sezonin e fundit luajti me Partizanin. Dëshira e drejtuesve është për t’i patur të tre këta lojtarë në skuadër por jo vetëm ata. Presidenti dhe stafi i tij kanë dëgjuar edhe kërkesat e trajnerit Gospodinov dhe do të mundohen t’ia plotësojnë ato.
Ideja është që të merren edhe 2-3 lojtarë të huaj ose të kampionatit shqiptar në mënyrë që të ndërtohet një ekip me pretendime krejt të tjera për kampionatin e ardhshëm. Megjithatë ata nuk kanë ndër mend të nxitohen në pretendime. Objektivi do të jetë futja në katërshen e ekipeve më të mira dhe më pas, gradualisht ai të vijë duke u rritur. E rëndësishme është që puna ka nisur herët dhe dëshira është e madhe për të bërë gjëra të mira.